Të mërkurën u bën dhjetë vjet nga mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit, shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008 nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Pas kësaj, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 2010 miratoi rezolutën e sponsorizuar nga 27 vendet e atëhershme të Bashkimit Evropian dhe Serbia, e cila hapi rrugën për fillimin e dialogut Kosovë –Serbi, të lehtësuar nga BE-ja, me qëllim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit.
Dialogu në fillim nisi për çështje teknike, të cilat kishin për qëllim që ta lehtësonin jetën e qytetarëve, por në fund të vitit 2012, krahas bisedimeve teknike, filluan edhe bisedimet në nivelin politik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, përmbyllja e cilave pritet së shpejti, me një marrëveshje përfundimtare.
Sipas analistëve politikë, pozicioni i Kosovës në rrafshin ndërkombëtar së fundmi është dobësuar, sikurse edhe në proceset e rëndësishme të cilat janë përpara. Kësaj situate, thanë ata, i ka kontribuar edhe aktakuza e paraqitur për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj presidentit Hashim Thaçi, në njërën anë, dhe mungesa e konsensusit politik dhe mbështetjes politike ndaj qeverisë lidhur me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Analisti politik, Naim Rashiti, drejtor i Grupit të Ballkanit për Politika, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pas paraqitjes së aktakuzës për shqyrtim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj Thaçit, politika kosovare do ishte dashur të reagojë shpejt për rikonsolidim dhe të riorganizohet, në kuptimin e përfaqësimit politik të vendit.
"Ky proces e ka dëmtuar Kosovën dhe e ka cunguar Kosovën në përfaqësimin e saj, por edhe në reputacionin e saj në çdo proces ndërkombëtar, e i cili mund të vazhdojë edhe më shumë vite. Do të jetë një barrë shumë e rëndë mbi Kosovën, deri sa ky proces të vazhdojë në Hagë, ndoshta për dhjetë vjet", tha Rashiti.
Edhe
Përvjetori i opinionit të GJND-së për pavarësinë, kujtohet si gurthemel i shtetësisë së Kosovës
Vendimi për aktakuzën ndaj Thaçit megjithatë ende nuk është marrë dhe gjykatësi ka gjashtë muaj kohë – nga muaji prill, kur është dorëzuar aktakuza – që të vendosë nëse do ta konfirmojë apo refuzojë atë.
Thaçi më herët ka deklaruar se nëse aktakuza ndaj tij konfirmohet, ai do të japë dorëheqje nga posti i presidentit.
Teksti i plotë, sot në Radio Evropa e Lirë