Arbëri

“Përvoja e hidhur” e Shqipërisë dhe Gjeorgjisë ia zvarrit liberalizimin Kosovës

Përkundër pritjeve të kosovarëve që sa më shpejtë të ndodhë liberalizimi i vizave, duket që për një gjë të tillë akoma nuk ekziston gatishmëria në mesin e shteteve të Bashkimit Evropian.

Një diplomat i BE-së ka thënë sot se liberalizimi i vizave do të ndodhë në një moment, por ai moment nuk ka ardhur ende.

Ky diplomat ka thënë sot se në rastin e Shqipërisë dhe Gjeorgjisë ka pasur një përvojë të keqe për disa shtetet të Bashkimit Evropian. Edhe atëherë Komisioni Evropian kishte thënë se këto dy shtete i kanë përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave, por çfarë pamë pas liberalizimit ishte ardhja masive e njerëzve në mënyrë të pakontrolluar nga këto shtete përfshirë edhe e elementeve kriminale.

“Ky ishte problem që na u deshtë kohë e gjatë për ta zgjidhur”, tha ky diplomat.

Ai tha se këtu nuk fajëson autoritet e këtyre dy vendeve, por thjeshtë problemi ndodhi. Kështu që sipas këtij diplomati, në rastin e Kosovës po merret një qasje tjetër.

“Ne së pari duam që të sigurohemi që kur të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës të mos kemi probleme çfarë kemi pasur në rastin e Shqipërisë dhe Gjeorgjisë. Vetëm kur të sigurohemi për një gjë të tillë, atëherë do të pasojë liberalizimi i vizave. Pra nuk bëhet fjalë për bllokadë, por për pritje të momentit të duhur”, ka thënë ky diplomat i BE-së.

I njëjti ka folur edhe për dialogun mes Kosovës e Serbisë. Ai ka paralajmëruar se gjatë vitit që vjen, pritet një angazhim më i madh i Gjermanisë dhe Francës për t’i lëvizur gjërat, pasi sipas këtij burimi, Serbia dhe Kosova vazhdojnë të kenë qëndrime diametralisht të kundërta në procesin e dialogut.

Po ashtu ka thënë se do të ketë një konferencë të veçantë kushtuar Ballkanit Perëndimor, por jo samit BE-Ballkan siç ka qenë më herët por më shumë një rast për t’i diskutuar disa probleme specifike të rajonit, ndër të cilat janë edhe dialogu mes Kosovës e Serbisë si dhe kriza politike në Bosnjë-Hercegovinë.