Janë mbushur 10 vjet prej kur Kosova kishte nisur dialogun për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian dhe qytetarët e Kosovës ende mbesin të vetmit nga rajoni që nuk e gëzojnë mundësinë e udhëtimit në vendet e Schengenit pa viza.
Ndërkohë shtetasit e vendeve fqinje e gëzojnë këtë të drejtë për më shumë se 12 vjet. Krejt çka thonë në këtë moment në BE është se e kuptojnë rëndësinë që ka liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, porse çështja është në duart e Këshillit të BE-së.
Gjatë këtyre 10 vjetëve, Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret që janë kërkuar nga ajo. Komisioni Evropian ka dhënë raport pozitiv dhe ka dhënë rekomandimin që të liberalizohen vizat. Po ashtu edhe Parlamenti Evropian ka dhënë pëlqimin për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe ka bërë ftesë për shtetet e BE-së që sa më parë, pa vonesa të miratojnë vendimin për një gjë të tillë.
Por mes vendeve anëtare të BE-së, qartë se nuk ka pajtim në këtë moment për të vazhduar drejt liberalizimit të vizave. Megjithëse nuk thonë se ka bllokada, diplomatët evropianë konfirmojnë se Franca, Holanda dhe disa shtete vazhdojnë të jenë skeptike dhe se presin më shumë dëshmi nga autoritetet e Kosovës se në rast të liberalizimit të vizave nuk do të ketë keqpërdorim të tyre.
Mësohet se shtetet skeptike si arsyetim kanë përmendur edhe shembullin jo të mirë me Shqipërinë e Gjeorgjinë, vende nga të cilat pas liberalizimit të vizave ka pasur numër të madh të azilkërkuesve në vendet e BE-së pa ndonjë bazë dhe janë refuzuar.
Ndërkohë ky problem, e pranojnë në BE, është zbutur. Por presin që tash Kosova në punë të drejtpërdrejtë me disa vende anëtare skeptike të punojë më shumë për të hequr skepticizmin e tyre dhe për të liberalizuar vizat.
Në këtë moment, diplomatët në Bruksel thonë se nuk janë në gjendje të vendosin nëse është apo jo reale që liberalizimi i vizave të ndodhë pikërisht gjatë kryesimit të Francës me BE-në, pra gjatë kryesimit të shtetit që deri më tash ka qenë më skeptik.