Në qytetin e Lipjanit sot u përurua shtegu i ecjes prej 1000 metra, ku u organizua edhe gara e atletikës “Vrapimi i Krushqve”.
Kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, tha se shtegut të ecjes pritet t’i vazhdohen edhe 2,7 kilometra
"Nga viti i kaluar komuna është shpërblyer me performancë të mirë. Dhe është implementuar gjatë vitit të kaluar një pjesë, dhe një pjesë këtë vit. Ndërsa, pjesa që pritet me u vazhduar është përsëri me financim të organizatës zvicerane dhe me MAPL-në dhe janë 2,7 kilometra që do të vazhdohen", ka shtuar Ahmeti, raporton KP.
Rreth shtratit të lumit Sitnica ka edhe pjesë tjera rekreative, si fusha sportive dhe këndi i lojërave për fëmijë.
Ahmeti tha se qëllimi i këtij aktiviteti, është që "Vrapimi i Krushqve", të kthehet në aktivitet tradicional.
"Ky shteg do të vazhdojë edhe 2,7 kilometra pranë shtratit të lumit Sitnica, për ‘tu dhënë mundësinë qytetarëve që të shfrytëzojnë për ecje, atletikë dhe rekreacion. Ne po provojmë që sot përmes një aktiviteti solemn, solid dhe me pjesëmarrje jo shumë të madhe që do të fillojë me një garë vrapimi që quhet "Vrapimi i Krushqve”, dhe mendoj që ky aktivitet do të jetë tradicional për qytetin", tha ai.
E zëvendësministrja e Pushtetit Lokal, Magbule Shkodra tha se ky investim ka ardhur nga kjo ministri në bashkëpunim me komunën e Lipjanit, në bazë të performancës së treguar të kësaj komune.
Në këtë vrapim, vendi i parë është shpërblyer me 200 euro, i dyti me 100, ndërsa vendi i tretë me 50 euro.
Emin Grajqevci, ka arritur i pari në fund të këtij shtegu. Ai tregoi se merret me atletikë, dhe se nuk është gara e parë në të cilën po merr pjesë. Sipas tij, hapja e shtegut të ecjes, është e mirë për qytetin e Lipjanit dhe qytetarët e saj.
Ahmeti ka treguar edhe pse kjo garë mban emrin "Vrapimi i Krushqve". Ai tregoi se në të kaluarën jo të largët, dasmorët sapo janë kthyer nga dasma, janë organizuar vrapimet e krushqve ku i zoti i dasmës e ka shpërblyer personin që ka vrapuar më së shpejti.