Punësimi, qasja e shëndetësia janë tre nga shtatë komponentët e paraparë në kalendarin e aktiviteteve në kuadër të vitit të personave me aftësi të kufizuara, që janë paraparë të përmbushen deri në fund të këtij viti. Por, rezultatet e arritura deri më tani janë vlerësuar si të pakënaqshme nga organizatat e personave me aftësi të kufizuara.
Edhe dy muaj bëhet një vit prej kur Qeveria ka shpallur 2022-tën si vitin e personave me aftësi të kufizuara.
Po në dhjetor do të përfundojë edhe afati i realizimit të aktiviteteve në kuadër të kalendarit të paraparë me qëllim të plotësimit dhe përmirësimit të kushteve për jetesë të barabartë.
Punësimi, arsimi, qasja, shëndetësia e mirëqenia sociale janë disa nga shtatë komponentët në të cilët institucionet janë zotuar se do të sjellin ndryshime përmes implementimit të një varg aktivitetesh.
Por, rezultatet e arritura deri më tani nuk janë vlerësuar si të kënaqshme nga organizatat dhe nga vetë institucionet.
Bekim Krasniqi, në Shoqatën e të Verbërve të Kosovës, uron që proceset e papërfunduara të vazhdojnë të përmbushen në vitin e ardhshëm.
“Kryesisht obligim kryesor ka qenë zhvillimi i sintezës vokale në gjuhën shqipe që u mundëson personave të verbër përmes softuerëve akustikë në shfrytëzimin e teknologjisë informative asistuese në gjuhën shqipe që deri më tash nuk ka qenë, mirëpo është parashikuar që të realizohet në kuadër të këtij kalendari, por deri më tani nuk ka ndodhur. Po shpresojmë që deri në fund të vitit të paktën çështjet e prokurimit të përmbyllen e si proces të vazhdojë në vitet e ardhshme”, ka thënë Krasniqi.
Edhe në Zyrën për Qeverisje të Mirë, në Kryeministri, thonë se pavarësisht se ka progres dhe një mobilitet të institucioneve për t’i realizuar aktivitetet e zotuara, ende ka mangësi dhe boshllëqe.
Habit Hajredini thekson se sfidat në implementimin e aktiviteteve të planifikuara ndërlidhen me aspektin financiar.
“Dua të përmend një element tepër të rëndësishëm që ka të bëjë me qasjen se sa është problematike, se sa është problematike komponent i qasjes për të gjithë personat me aftësi të kufizuara, jo vetëm në kuptimin fizik, por edhe në dhënien e informacioneve, qasjes për të verbrit, për të shurdhët dhe të specifikave të tjera. Ministria e Pushtetit Lokal, Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Ambientit po e politizojnë një projekt në pesë komuna për të identifikuar nevojën e qasjes. Ky projekt veç ka filluar”, ka thënë Hajredini.
E, në Ministrinë e Arsimit thonë se kanë arritur shumë objektiva.
“Në pjesën e arsimit janë arritur shumë nga objektivat: Punësimi i asistentëve dhe instruktorëve për gjuhën e shenjave, ndërtimi i pjerrinave në shkollat e parapara, inicimi për sintezën vokale për personat e verbër, akreditimi i programit për gjuhën e shenjave. Këtë vit kemi punësuar 100 asistentë, ndërsa për vitin e ardhshëm është planifikuar buxheti për punësimin e 300 asistentëve të tjerë”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t.
Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se është hartuar projekt-udhëzimi administrativ për përcaktimin e listës dhe llojet e pajisjeve ndihmëse falas për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë.
E sa i përket punësimit, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, rezulton se numri i personave të punësuar me aftësi të kufizuara është 101 zyrtarë.