Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Personalitetet e vitit 2022: Ganimete Musliu – E bullizuara bullizuese

Ganimete Musliu ndër vite ka qenë një nga gratë më të përqeshura në Kosovë. Është sharë, bullizuar e fyer në mënyrën më të rëndë të mundshme. Por në fundvit ajo përqeshi dikë tjetër. Pas fjalimit vjetor të presidentes, Musliu e bullizoi duke i thënë se do të mbahet mend vetëm për humbje peshe. Reagimet ishin të shumta e Musliu u përball edhe me një valë fyerjesh të reja.

Deputetja e PDK-së ishte prej më të zëshmeve nga kampi opozitar. U shërbye edhe me gjuhë jo fort parlamentare. “Hajgaregji” ishte mbiemri që ia vuri kryeministrit. E, në një moment i quajti psikopatë të gjithë ata që i besojnë pushtetit të tashëm.

E vazhdoi betejën me ministrin Faton Peci, u tensionua me ministren Albulena Haxhiu, ndërsa një aksion simbolik e realizoi te kryeparlamentari Glauk Konjufca, kur ia dhuroi një shall si porosi nga ish-punëtorët e Aeroportit.

Musliu u veçua edhe brenda partisë. Ajo refuzoi të merrte pjesë në Konventën e PDK-së në shtator, pasi tha se subjekti politik po ikte nga identiteti. Kritikoi Konventën edhe për “heshtje” rreth luftës së ish-liderëve të saj në Gjykatën Speciale.