Ishte vetëm arkitekt deri në majin e 2021-s, por në këtë kohë u kthye nga Londra në Prishtinë me zotimin për ta transformuar kryeqytetin. Përparim Rama, që vazhdon të insistojë se është apolitik, fitoi garën për Prishtinën si kandidat i Lidhjes Demokratike.
Asnjë sondazh gjatë fushatës zgjedhore nuk e parashihte fitues. Pritjet se ai mund të dilte kryetar, i zbehu edhe dallimi në vota mes tij dhe kandidatit të Vetëvendosjes në rundin e parë të zgjedhjeve. Por mbërriti ta bëjë përmbysjen e madhe.
Rama në fushatë premtoi gjithçka. Premtoi park në qendër të Prishtinës. Madje, edhe liqen, në vendin ku tani është stadiumi “Fadil Vokrri”. Premtoi kthimin e pjesës së vjetër të qytetit e ndërtimin e së resë. Thjesht, në bazë të premtimit të tij Prishtina do të kthehet në kantier ndërtimi në katër vjetët e ardhshëm, ani se vlera e projekteve për të cilat u zotua tejkalon për disa herë buxhetin që Komuna ka për investime kapitale.
Prej se e ka marrë detyrën, nuk e ka vënë as edhe një “gozhdë”. Gozhdat mund të mos jenë të nevojshme për ta shndërruar Prishtinën në “qytetin e përjetimeve”, siç ka premtuar Rama.