Mbiemrin e ka të ngjashëm me njërin prej shpërndarësve më të mëdhenj të drogës në Amerikën Latine, por s’ka të bëjë asgjë me të. Gabriel Escobar është ndër diplomatët më të rryer amerikanë.
Rikthim i diplomacisë buldozer të SHBA-së në Ballkan u konsiderua caktimi i tij emisar për rajonin. Escobar i dha shenjat e para të këtij epiteti kur u përfshi aktivisht në zhbllokimin e bllokadës drejt pikave kufitare në Jarinje e Bërnjak. Ai u shfaq në Bruksel krah emisarit për dialog, Lajçak.
Escobar u çoi mesazh të gjithë liderëve të Ballkanit Perëndimor se i presin sanksionet nëse minojnë proceset demokratike. Kjo ndodhi pas tensioneve në Bosnjë-Hercegovinë dhe kërcënimeve me luftë. SHBA-ja vazhdon të insistojë në arritjen e një marrëveshjeje finale Kosovë-Serbi, në qendër të së cilës është njohja e ndërsjellë.