Kur evropianët ngecin t’i shtyjnë gjërat në dialogun Kosovë-Serbi, aktivizohet amerikani çehre-rëndë. Zyrtarët e përshkruajnë emisarin amerikan Gabriel Escobar, si diplomat buldozer që u jep shtytje gjërave, vendos afate e s’e ka problem t’ua ndërpresë fjalën zyrtarëve, qofshin ata edhe të nivelit më të lartë.
Në jo pak vizita në Kosovë e Serbi, Escobar ka qenë zëri më direkt ndërkombëtar në përkrahje të Kosovës. Vazhdimisht e ka përsëritur se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke, se SHBA-ja i ofron Kosovës garancë të fortë ushtarake, e se Asociacioni që serbët e kërkojnë nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive.
Por, është treguar imponues edhe në raport me autoritetet në Kosovë. Refuzimit të Qeverisë që të ndërmarrë veprime për ta hartuar Statutin e Asociacionit, i është kundërpërgjigjur me paralajmërimin se këtë punë mund ta bëjë vetë SHBA-ja me partnerë të tjerë në Prishtinë, sikur janë organizatat joqeveritare.
Qysh në fillim të mandatit, Escobari pati dhënë sinjale për përfshirje aktive në dialog. Dhe, këtë e demonstroi më së miri gjatë 2022-s.