Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Personalitetet 2021/ Albulena Haxhiu: “Reformatorja” e braktisur

Në rolin e opozitares ka folur shumë për procesin e vettingut, si më i rëndësishmi për reformimin e sistemit të drejtësisë. Si hisedare e pushtetit, Albulena Haxhiu e inicioi këtë reformë, por hasi në rezistencë të fortë, jo vetëm nga oponentët e saj politikë, por edhe nga akterët kryesorë të sistemit të drejtësisë. Kundër i doli edhe Bashkimi Evropian.

Megjithëkëtë, Haxhiu ishte shumë aktive në ndërtimin dhe avancimin e infrastrukturës legjislative, dhe krahas dokumenteve bazë për vettingun, e hartoi edhe Projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Shkarkoi zyrtarë e përcolli kallëzime penale për keqpërdorimet e pretenduara të paraardhësve të saj. Disa i cilësuan këto veprime përpjekje për të vendosur rend e disa i panë si hakmarrje politike. Si kurrë me parë pati acarim të raporteve mes Këshillit Prokurorial e Ministrisë së Drejtësisë.

Haxhiu e ka në qejf të mbahet mend si reformatore e sistemit të drejtësisë, kundër të cilit ka kritikë brenda e jashtë vendi, por skeptikët druajnë që me Haxhiun në krye të Ministrisë dhe me Vetëvendosjen në pushtet, ky sistem mund të nënshtrohet edhe më shumë nga politika.