Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Personalitetet 2021/ Agim Veliu: “I forti” i mundur

Në vitin paraprak ishte figura qendrore në tollovitë jo të pakta politike. Por fillimi i këtij viti e la pa ndonjë ndikim.

Avim Veliu, një nga figurat qendrore të Lidhjes Demokratike prej themelimit të saj, u margjinalizua nga lidershipi i ri partiak. Ishte nënkryetar partie e kryetar dege në Podujevë, por me ta marrë kreun e partisë Lumit Abdixhiku e liroi nga të dyja pozitat, pa ndonjë shpjegim. Mbase, vendimi shpjegohet me perceptimin publik negativ që u ndërtua për Veliun, pas rolit të tij në ngjarjet politike të një viti më parë.

“I forti” i LDK-së që u mund nga gjeneratat e reja, mbeti vetëm deputet.

Megjithëkëtë, aty ku i jepet rasti, ai dëshiron ta tregojë veten: U tregua shpërfillës në vendimet e organeve të reja partiake përkitazi me sjelljen që deputetët e partisë duhet të tregojnë në Kuvend, ndërkaq në zgjedhjet lokale nuk e ndihmoi as kandidatin e partisë në garën për kryetar të komunës që e ka udhëhequr për shumë vjet, e të cilën LDK-ja e humbi.