Arbëri

Përsëriten premtimet për autostradën Prishtinë-Gjilan e magjistralen Prishtinë-Podujevë

U premtua se do të përfundonte më 2023, por në fund të janarit 2024 Qeveria e Kosovës ka përsëritur premtimin. “Do të arrijmë t’i përmbyllim projektet si ajo Prishtinë-Gjilan”, ka thënë ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, në një konferencë për media të mërkurën.

Ky projekt pati nisur para gjashtë vjetësh. Është premtuar në vazhdimësi se do të kryhej më herët, por kjo s’ka ndodhur.

Premtim për t’i dhenë epilog ka marrë edhe rruga Prishtinë-Podujevë. Aliu ka thënë se pas ritenderimit do të realizohet në tërësi rruga. Ai ka thënë se do të vazhdojë edhe autostrada nga Gjilani deri në Dheun e Bardhë. Ka premtuar edhe punë në rrugën Drenas-Skenderaj e Dollc-Gjakovë.

Në konferencën për media, Aliu ka thënë se Qeveria e Kosovës deri tash kryesisht është marrë me borxhet për shpronësime.

Ai ka thënë se më 2024, Qeveria e ka prioritet hapjen e korridoreve ajrore me Malin e Zi. Ka thënë se synojnë digjitalizimin e plotë të dhënies së patentë-shoferëve.

Ai ka thënë se në vitin 2024 “do të përfundojnë një pjesë e madhe e projekteve”.