Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Përplasje në Kuvendin e Shqipërisë për vëllanë e Xhafajt, PD bllokon seancën

Seancën e sotme parlamentare, kryedemokrati Lulzim Basha e nisi duke iu ‘vërsulur’ ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, për të cilin tha se ka mbajtur larg dyerve të qelisë vëllanë e tij trafikant droge.

Duke iu referuar dokumenteve të Gjykatës së Kasacionit, publikuar ditën e djeshme në selinë blu, Basha tha se ishte “detyrë e Fatmir Xhafaj të verifikonte dënimin e vëllait Agron Xhafaj dhe ta arrestonte, e më pas ekstradonte në Itali”.

“Dje Fatmir Xhafaj tha se vëllai ishte në vendin dhe kohën e gabuar. Faktet provojnë të kundërtën. Vëllai i Fatmir Xhafaj është furnizuesi i organizatës kriminale me kokainë, heroinë dhe marijuanë. Vendimi i bërë publik dje është vendimi final i Italisë, që la në fuqi vendimin për 7 vjet e dy muaj burg. Këto janë faktet. Ministria e Brendshme dje ndaloi çdo punë dhe intimidoi gazetarët për mospublikim e kësaj dosje. Agron Xhafaj bënte të mundur tërheqjen e drogës së ardhur nga Shqipëria dhe të fshehur në bregdetin e Salernos. Pjesëtar dhe kreu i një bande ndërkombëtare të trafikut të narkotikëve”, deklaroi Basha.

“Ku është ‘Forca e ligjit’?”, pyeti Basha duke iu drejtuar ministrit të pranishëm në sallë.

“Agron Xhafaj nuk vuan dënimin pasi vëllai i tij ministër i Brendshëm nuk e arreston”, u shpreh Basha.

Edhe Opozita në Shqipëri largohet nga Kuvendi pas bllokimit, paralajmëron protestë Arbëri Opozita në Shqipëri largohet nga Kuvendi pas bllokimit, paralajmëron protestë

Kreu i PD theksoi më tej se një skandal i përmasave të mëdha është falsifikimi i procesverbaleve nga Xhafaj në kohën kur drejtonte Komisionin e Ligjeve.

“Fatmir Xhafaj në detyrën e tij si kryetar i Reformës në Drejtësi ka ndryshuar përmes falsifikimit në nenin 491 të Kodit Penal për të siguruar imunitet për vëllain e tij. Si kryetar i reformës në drejtësi ka mbrojtur me ligj vëllain e tij trafikant. Vëllai i Fatmir Xhafaj jeton i lirë pa vuajtur asnjë ditë dënim. Dje Fatmir Xhafaj tha se nuk ka dijeni për këtë fakt. E vërteta është se Fatmir Xhafaj ka të gjithë përgjegjësinë politike, personale dhe penale”, nënvizoi Basha.

Akuza edhe më të rënda u lëshuan në drejtim të familjes Xhafa në vijim të fjalës së kreut të PD, teksa Basha theksoi se ministri i Brendshëm njihet në Vlorë si “pashai” i kokainës.

“Fatmir Xhafaj është koka e një familje mafioze, është vetë peshku i madh. Agron Xhafaj dhe Fatmir Xhafaj kanë shndërruar Vlorën në kryeqytetin e kokainës. Fatmir Xhafën e thërrasin “pashai” i kokainës në Vlorë, pasi ka në dorë ministrinë e Brendshme dhe kontrollon trafikun e drogës”, konstatoi Basha.

Edhe PD publikon atë që thotë se është biseda e vëllait të ministrit Xhafaj me një trafikant Arbëri PD publikon atë që thotë se është biseda e vëllait të ministrit Xhafaj me një trafikant

Pas përfundimit të kohës 10 minuta që ishte përcaktuar për të folur kryeopozitari Basha, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi i ndërpreu fjalën dhe në këtë moment deputetët e PD dhe LSI bllokuan foltoren.

Për të qetësuar sallën, kryeparlamentari Ruçi vendosi të ndalë seancën plenare duke kërkuar pushim.