Arbëri

Përndiqen serbët e veriut që s’i binden Listës Serbe

Autoritetet e Serbisë kanë ashpërsuar masat ndaj serbëve në veri, të cilët nuk i janë bindur Listës Serbe për t’i bojkotuar zgjedhjet lokale të së dielës. Këtë javë, në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, Policia e Serbisë ka arrestuar Dragan Nikoliqin dhe Dushan Tomoviqin, nën akuzën se janë pjesë e grupit kriminal që udhëhiqet prej dy personave shqiptarë, të cilët kanë për qëllim rrezikimin e rendit juridik të Serbisë. Por avokati i Nikoliqit, me të cilin ka kontaktuar KOHA, ka thënë se akuza i është veshur pasi që bashkëshortja e klientit të tij është kandidate për Kuvendin Komunal në Leposaviq. Pavarësisht presionit, ai ka thënë se Ivana Nikoliq nuk do të tërhiqet nga gara

Beogradi zyrtar ka intensifikuar përndjekjen ndaj serbëve të Kosovës, të cilët nuk u janë bindur urdhrave të Listës Serbe për bojkotimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të së dielës, që do të organizohen në katër komunat e veriut, të banuara kryesisht me serbë.

Në prag të zgjedhjeve të 23 prillit, qëndrimi po tentohet që t’u imponohet të gjithë komunitetit serb.

Kësisoj, ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Dragan Nikoliq (nga Leposaviqi) dhe Dushan Tomoviq (nga Zubin Potoku) janë arrestuar gjatë kësaj jave nga Policia e Serbisë dhe janë duke u mbajtur në paraburgim. Ivan Niniq, avokati i Nikoliqit, ka thënë për KOHËN se klienti i tij akuzohet se bashkë me katër serbë të tjerë janë duke punuar intesivisht për ta shkatërruar rendin kushtetues dhe sigurinë e Serbisë.

Niniq ka theksuar po ashtu se rasti po tentohet që të montohet me dëshmitarë nga veriu, të cilët janë mbështetës të Listës Serbe dhe anëtarë të partisë së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Draganit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Ai ndodhet në Beograd, në burgun qendror dhe me rastin është duke u marrë Prokuroria e Lartë në Beograd. Presim që në ditët në vijim të dëgjohen dëshmitarët e Prokurorisë. Ata duhet të vijnë nga veriu i Kosovës në Beograd për t’i dhënë deklaratat. Prokurori ka propozuar 9 dëshmitarë dhe ata janë mbështetës të Listës Serbe dhe anëtarë të Partisë Përparimtare Serbe, si dhe disa dëshmitarë që janë të punësuar si zyrtarë në Komunën e Leposaviqit. Nuk kemi parë asnjë provë nga Prokuroria dhe Policia serbe. Akuzat janë shumë të rënda dhe Dragani rrezikon që të dënohet me 10 vjet burgim, për shkak të krimit për të cilin akuzohet”, ka thënë Niniq.

Krahas Dragan Nikoliqit, me pretendimin se bën pjesë në grupin kriminal është arrestuar edhe Dushan Tomoviq nga Komuna e Zubin-Potokut, i cili ndodhet në burgun e Beogradit.

“Policia dhe prokurori pretendojnë se ky grup kriminal përbëhet nga 3 persona të tjerë të kombësisë serbe dhe se drejtues të grupit janë dy persona të kombësisë shqiptare. Klienti im, Dragan Nikoliq, nuk ka qenë asnjëherë anëtar i ndonjë grupi kriminal. Ai ishte pjesëtar aktiv i Policisë së Kosovës, kur u largua nga puna në nëntor të 2022-s dhe kështu tregoi besnikërinë e tij ndaj autoriteteve në Beograd. Dragani nuk është kriminel, nuk ka organizuar djegien e veturave në veri të Kosovës, nuk u ka dhënë informacione konfidenciale shërbimeve të sigurisë në Prishtinë, nuk ka përhapur materiale propaganduese, nuk ka inkurajuar eksodin e serbëve nga Kosova”, ka theksuar avokati Niniq. “Ai nuk është përgjegjës për zjarrvëniet në janar të këtij viti në veri të Kosovës. Unë do ta dëshmoj pafajësinë e tij sepse është viktimë e politikës kriminale të Milan Radojiçiqit, i cili me lejen e Aleksandar Vuçiqit po kryen terror në Kosovë. Dragani është në burg vetëm pse nuk e përkrah listën Srpska në Leposaviq”.

“Hakmarrje nga Beogradi”

Avokati Niniq ka shtuar se arrestimi i Dragan Nikoliqit është hakmarrje nga Beogradi, pasi që bashkëshortja e tij, Ivana Nikoliq, është kandidate për këshilltare në listën e Partisë së Serbëve të Kosovës për Leposaviq.

Pavarësisht presionit, Niniq ka thënë se bashkëshortja e klientit të tij nuk do të tërhiqet nga gara për zgjedhjet e së dielës.

“Pavarësisht se ndodhet në burg, Dragani dhe bashkëshortja e tij, Ivana, kanë vendosur që të mos e tërheqë kandidaturën para Partisë së serbëve të Kosovës në Leposaviq dhe kështu të marrë pjesë në zgjedhje. Dje bisedova me Draganin në burgun e Beogradit dhe ai më tha t'ia përcillja mbështetjen Ivanës për të mbetur kandidate dhe për të luftuar deri në fund. Dragani është një burrë trim dhe nuk dëshiron që Milan Radojçiqi të jetë shefi i tij”, ka potencuar ai.

Kjo nuk është hera e parë që serbët, të cilët e sfidojnë Listën Serbe, ballafaqohen me presione dhe me shantazhe. Në janarin e vitit 2018 është vrarë para zyrës së tij lideri i nismës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”, Oliver Ivanoviq.

Politikanë opozitarë nga veriu kanë thënë se është për keqardhje nëse ka përndjekje të atyre që kanë vendosur të garojnë në zgjedhje.

“Nëse bëhet fjalë vetëm për pjesëmarrje në çfarëdo aktiviteti politik sigurisht që është shumë mesazh i keq për serbët”, ka thënë për KOHËN Aleksandar Arsenijeviq, nga iniciativa qytetare “Mbijetesa Serbe”.

“Nëse me të vërtetë po bëhet fjalë për përndjekje politike, kjo duhet të dënohet. Por e gjithë kjo është pak e dyshimtë për vetë faktin se sa kam unë informata kjo ka ndodhur më 11 prill, e tani kanë dalë informacione, ndërsa në ndërkohë, partia ‘serbët e Kosovës’ e ka falënderuar kryeministren e Serbisë që nuk po i etiketon për shkak të pjesëmarrjes në zgjedhje. Prandaj, tani për tani, nuk është shumë e qartë”, ka theksuar ai.

Ndaljen e kërcënimeve ndaj komunitetit serb e ka kërkuar të enjten emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esccobar.

“Djegia e automjeteve dhe patundshmërive, si dhe kërcënimet ndaj njerëzve që duan të integrohen nuk vijnë nga shqiptarët etnikë, por nga serbët. Prandaj mendoj se kërcënimet ndaj komunitetit serb në Kosovë duhet të ndalen nga të gjitha anët”, ka thënë Escobar.

Në zgjedhjet e së dielës do të garojnë 11 kandidatë, dy prej të cilëve janë nga komuniteti serb.

Aleksandar Jabllanoviq, ish-eksponent i Listës Serbe dhe ministër në Qeverinë e ish-kryeministrit Isa Mustafa, është kandidat për kryetar të Leposaviqit. Ndërkaq Sllaxhana Petkoviq është kandidate e pavarur në Zveçan.

Partitë që kandidojnë në katër komunat veriore janë Iniciativa qytetare Mitrovica, Partia Demokratike e Kosovës, Partia e Serbëve të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje.

Krahas zgjedhjeve për kryetarë, do të votohet edhe për Kuvendet Komunale në Leposaviq dhe në Zveçan.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë akuzuar Serbinë se nëpërmjet propagandës dhe shantazhit janë duke i frikësuar serbët e veriut që të marrin pjesë në zgjedhje. Në anën tjetër, Beogradi zyrtar ka pretenduar se vendimin për mospjesëmarrje në proces e ka marrë vetë Lista Serbe.

Ky subjekt e ka kushtëzuar pjesëmarrjen në zgjedhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe me tërheqjen e njësive speciale nga veriu. Por shtetet e QUINT-it e kanë mbështetur vendimin e institucioneve të Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve, me gjithë mospjesëmarrjen e Listës Serbisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia, nëpërmjet një deklarate të përbashkët, u kanë bërë thirrje palëve që të përmbahen dhe ta shmangin dhunën e cila do të mund ta prishte procesin zgjedhor.

QUINT-i po ashtu ka shprehur keqardhje që në zgjedhjet e jashtëzakonshme, Lista Serbe nuk e shfrytëzoi “të drejtën demokratike për të marrë pjesë në to”.

E emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Escobar, së fundi ka bërë të qartë se SHBA-ja do t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, teksa u ka bërë thirrje serbëve që të kthehen në institucionet kosovare.

Escobar, në një intervistë dhënë mediumit serb “Tanjug”, në të cilën është pyetur nëse zgjedhjet lokale në veri të Kosovës janë legjitime në rast se serbët i bojkotojnë ato, ka thënë se fakti që disa parti politike vendosin t’i bojkotojnë zgjedhjet, nuk e përcakton rezultatin e tyre.

“U kam bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje. Ne kuptojmë shumë gjëra që ata i shohin si problematike, por duhet patjetër të marrin pjesë. Nëse ata nuk do të merrnin pjesë, kjo nuk do të thotë se ne nuk i mbështesim zgjedhjet. Qeveria e Kosovës ka obligim kushtetues. Do të ketë zgjedhje dhe do t'i njohim rezultatet dhe shpresojmë që serbët të kthehen në institucione”, ka thënë Escobar.

Ai ka shtuar se SHBA-ja kërkon që serbët të kthehen në Polici, sepse nuk mund të ketë një komunitet që nuk ka shërbime komunale dhe që nuk ka forcë policore.

Serbët janë dorëhequr kolektivisht nga institucionet e Kosovës fundvitin e shkuar, duke e imponuar mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të cilat fillimisht ishin caktuar për datën 18 dhjetor të vitit të kaluar. Por pas rritjes së tensioneve në veri dhe sulmeve mbi zyrat e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), me kërkesën e ndërkombëtarëve, zgjedhjet janë shtyrë për 23 prill.