Udhëheqësit politikë në Kosovë kanë kujtuar 21 vjetorin e masakrës së Izbicës.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se më 28 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës.
“Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror. Në mesin e të vrarëve kishte edhe persona të rrethit tim familjar. Sot , 21 vjet pas këtij krimi askush nga autorët dhe ekzekutuesit serbë nuk doli para drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare. Kjo është padrejtësia më e madhe për familjet që pësuan në vitet 1998 dhe 1999, ku shteti serb kreu masakra, gjenocid dhe dëbim masiv të shqiptarëve nga Kosova. Liria e Kosovës i ka rrënjët në gjakun e mijëra martirëve anembanë Kosovës”, ka shkruar ai.
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, masakrën e Izbicës e ka quajtur dëshmi të gjenocidit në Kosovë.
“Sot, me dhimbje e nderim të thellë, kujtojmë Izbicën, vendin ku tragjedia njerëzore mori përmasa të papara, 147 qytetarë u masakruan nga armata serbe. Masakra e Izbicës, është dëshmi e gjenocidit me të cilin u përball tërë Kosova në fundshekullin e shkuar, dëshmi se shqiptarët ju pengonin vetëm pse ekzistonin. Ne nuk do t’i harrojmë këto krime të kryera ndaj popullit tonë, nuk do ta harrojmë Izbicën dhe shpirtin e pa thyer të tyre, sepse, Izbica është vulë e përpjekjes tonë për liri dhe pavarësi.
Për 147 viktimat e Izbicës dhe masakrat e tjera të kryera në Kosovë nga Serbia ne duhet të kërkojmë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimet e merituara për krimet makabre”, ka shkruar ai.
Ndërkaq kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se masakra në Izbicë tregoi fytyrën e vërtetë të Serbisë.
Edhe
Përkujtohet masakra në Izbicë
“Ajo nuk kurseu as gra, fëmijë e pleq, e as Dafinën gjashtë muajshe, eshtrat e së cilës u mbajtën për 18 vite në Serbi.Sot në kujtim të martirizimit të 147 shqiptarëve të pafajshëm, 21 vite më parë, edhe njëherë bëjmë thirrje për drejtësi. Është e turpshme që kriminelët që shkaktuan kaç shumë dhembje të mos dënohen. Kosova ka dhënë mjaft gjatë okupimit serb. Spastrim etnik në gjysmën e territorit të saj, qindra mijëra të vrarë, e për shkatërrime as që numërohen”, ka thënë ai.