Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Përkujtohen dëshmorët dhe martirët e Epopesë së Vërrinit

Me rastin e 21 vjetorit të Epopesë së Vërrinit gjatë ditës së sotme janë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit.

Mëngjesin e së dielës shumë familjarë, bashkëluftëtarë, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë kishin mësyrë memorialin e dëshmorëve në Landovicë.

Bashkëshortja e dëshmorit, Selajdin Berisha, Rukija nën emocione të mëdha tha se që njëzet vite pas lufte përveç mërzisë dhe përmallimit, shteti nuk ka bërë asgjë për bashkëshortin e saj.

“Që njëzet vite i bëjmë pas lufte, unë e përmalluar, e mërzitur...shteti për Salën s’ka bërë asgjë hiç, Sala i ka mbërri të gjitha, tash asgjë s’kemi. Një përmendore ende s’ia kanë bërë”, tha Berisha.

Pjesë e këtyre homazheve ishte edhe kryetari i komunës, Mytaher Haskuka, i cili tha se kujtimi për dëshmorët do të jetë i përjetshëm.

“Dëshmorët dhanë më të çmueshmen e tyre, jetën e tyre për lirinë tonë. Prandaj kujtimi për ta do të jetë i përjetshëm, ku në të njëjtën kohë duhet edhe gjeneratat e reja që të marrin shembull si nderohet atdheu”, tha ai.

E komandanti i batalionit në këtë betejë, njëherësh ish deputeti, Zafir Berisha, përkujtoi momente të luftimeve para 21 vjetëve, teksa tha se falë këtyre dëshmorëve Kosova e gëzon lirinë e sotme.

“Ishte një betejë jo e barabartë, por ishte betejë për liri a vdekje. Normal përcaktimi dhe vendosshmëria e djemve dhe vajzave të UÇK-së dhe banorëve të asaj zone ishte që të rezistohet deri në fund”, tha Berisha.

Ndërsa, sekretari i OVL-UÇK dega në Prizren, Isa Berisha, kërkoi nga institucionet lokale dhe qendrore që të ketë një përkujdesje më të mirë për familjarët e dëshmorëve.

“Kërkojmë nga institucionet lokale, po ashtu dhe qendrore që të ketë një përkujdesje më të mirë për familjarët e dëshmorëve”, tha ai.

Për të bërë homazhe për nder të dëshmorëve dhe martirëve të kësaj beteje ishte dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ndryshe në betejën e Vërrinin e cila u zhvillua nga 1-5 shtator të vitit 1998, ranë 27 dëshmorë dhe 42 martirë./KsP/

Artikuj të ngjashëm