Në Ditën e Dëshmorëve të Kombit familjarë të ushtarëve të rënë në luftën e fundit në Kosovë u mblodhën në kompleksin memorial të fshatit Penuhë të Podujevës për të kujtuar të afërmit e tyre. Ata ndanë rrëfime personale për sakrificat dhe vendosmërinë e të rënëve, ndërsa u ankuan për mospërkrahje nga institucionet. E në Zahaq të Pejës është përuruar lapidari i dëshmorëve dhe martirëve, ku u nderuan 138 dëshmorët e Pejës dhe të gjithë ata që ranë për liri
“Nëse je duke dëgju, ta dish se fitorja është e jona, NATO është në anën tonë, historia është në anën tonë, mos u mërzitni, ne jemi të gatshëm për gjithçka”. Këto ishin fjalët e fundit që Muhamet Sokoli, ushtar i UÇK-së në Zonën e Llapit, ia tha vëllait të tij në Gjermani, para se familjarët të kuptonin se kishte rënë dëshmor.
Pas homazheve që bënë të hënën, në Ditën e Dëshmorëve të Kombit, në Kompleksin memorial të fshatit Penuhë të Podujevës, vëllai i tij Arsim Sokoli, mes dhimbjes e krenarisë, e kujtoi atë dhe qëllimin që kishte i vëllai.
“Krejt çka jemi në Kosovë ia vlen që të japim jetën edhe nëse të gjithë vdesim, askush pikë loti të mos nxjerrë, vetëm me të vetmin kusht: që nipa, mbesa, vëllezër dhe motra, krejt çka vijnë, ta shijojnë lirinë e Kosovës”, ka thënë Arsim Sokoli.
E Feride Asllani ka treguar se si bashkëshorti i saj, i cili për afro 5 vjet u detyrua të qëndronte në Gjermani për shkak të përndjekjes politike, kishte vendosur të kthehej dhe të luftonte në Kosovë.
Ndërsa të rëndë e konsideroi momentin kur e kuptoi se burri saj kishte rënë dëshmor.
“Me një anë kemi qenë edhe krenarë, pasi ka rënë për këtë vend edhe para fëmijëve kurrë nuk jam mërzitë se kisha frikë që po na vijnë serbët edhe po më mbetet ndonjëri me trauma”, ka thënë ajo.
Asllani theksoi se po përpiqen që të bartin historinë te brezat e rinj mirëpo, sipas saj, shteti po i harron dita-ditës emrat e dëshmorëve.
“Në atë fillim kanë ardhur boll, po tash po vijnë edhe pak duke u harru. Këta që janë të vjetër po shumë na kanë vizitu, por tash më pak”, ka shtuar ajo.
Se shteti nuk ka bërë mjaftueshëm për familjet e dëshmorëve thotë edhe Fahrije Gashi.
Gashi, vëllai i së cilës është dëshmor, ka thënë se askush nga përfaqësuesit e vendit nuk ua hapi derën për 26 vjet.
“Kena marrë vesh kur janë vrarë, ne boll jemi mërzit po dasmë pa mish thonë nuk ka e edhe luftë pa viktima nuk ka. Po mendja jonë që vëllaun e dhamë, 7 motra e veç atë vëlla, e që i la djalë e çikë, thamë për ta i ka çelur rrugët... Unë po them shpresoj që tash e tutje të bëhet mirë se për neve që i dhamë njerëzit tanë asgjë nuk u bë mirë”, ka thënë Fahrije Gashi.
Familjarë të të rënëve në luftën e fundit në Kosovë kërkuan dënimin e krimeve të kryera nga Serbia, duke thënë se nuk gjejnë paqe derisa drejtësia të vihet në vend.
Ndërsa në Zahaq të Pejës është përuruar lapidari i dëshmorëve dhe martirëve, ku u nderuan 138 dëshmorët e Pejës dhe të gjithë ata që ranë për liri.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se sa më shumë afrohej liria, aq më shumë shtohej intensiteti i luftës ndaj okupatorit.
“Në rrethinën e Istogut trimat e Ushtrisë Çlirimtare luftonin deri në vetëmohim, duke ia dhënë goditjet e fundit armikut. Po në këtë datë, 5 Maj 1999, në altarin e lirisë ra edhe Muharrem Vuthaj nga Vrella, një luftëtar që mishëronte vlerat më të larta të trimërisë dhe dashurisë për atdheun. Liria në këtë tokë është e shenjtë dhe do të jetojë për aq kohë sa ne i qëndrojmë besnikë gjakut të derdhur për të. Heroizmi dhe sakrifica e dëshmorëve të kombit do të jenë gjithmonë udhërrëfyes në shtetndërtimin tonë dhe në forcimin e faktorit shqiptar si garantues i paqes, stabilitetit dhe zhvillimit në rajon. Lavdi e përjetshme të rënëve për liri!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.