Këshilli Prokurorial i Kosovës, më datë 26 janar 2022, ka reaguar ndaj panelistëve të emisionit TEMPUS, duke deklaruar se në emision janë plasuar të pavërteta, deklarime joprofesionale, të ulëta dhe qëllimkëqija në drejtim të sistemit prokurorial të Kosovës, përfshirë konstatimet lidhur me shkresat e Ambasadës Britanike lidhur me procesin e përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit.
Për informim të drejtë të opinionit publik, siç është thënë edhe gjatë emisionit, autori i emisionit TEMPUS për këtë edicion ka ftuar Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës z. Jetish Maloku, Kryeprokurorin e Shtetit, z. Aleksandër Lumezi, si dhe përfaqësues të tjerë të sistemit prokurorial të Kosovës, të cilët as nuk janë përgjigjur për t’u ballafaquar para opinionit publik në Kosovë dhe për të diskutuar lidhur me një proces kaq të rëndësishëm të sistemit prokurorial, siç është procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit.
Reagimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, së pari, nuk shpjegon konkretisht, ndaj kujt dhe për çfarë saktësisht po reagon. Në asnjë paragraf të reagimit nuk saktësohet se cilat janë të pavërtetat e bëra publike gjatë emisionit nga ana e panelistëve, por qëllimisht ka përdorur një gjuhë të përgjithësuar pa e ofruar asnjë argument ose dëshmi që mund t’i mbështesin pretendimet e KPK-së.
Gjatë emisionit panelistët kanë debatuar lidhur me proceset e zgjedhjes së Kryeprokurorëve të Shtetit, të cilat kanë qenë në fokus të debatit publik, kritikës dhe analizave në raportet e shumta vendase dhe ndërkombëtare, ku është kritikuar mungesa e transparencës, llogaridhënies dhe integritetit të KPK-së për t’i zhvilluar këto procese të rëndësishme. Është jokontestuese se partnerët ndërkombëtarë dhe Raporti i Progresit për vitin 2021 ka kritikuar procesin e emërimit të anëtarëve të rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës gjatë vitit 2021.
Raporti i Progresit ka konstatuar se “Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë BE-në, refuzoi të monitorojë procesin zgjedhor të zhvilluar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, për shkak të shqetësimeve për mungesën e transparencës së procesit dhe konfliktit të mundshëm të interesit.” Sikurse, është jokontestues shkurtimi i kundërligjshëm i mandatit të anëtarit të KPK-së nga shoqëria civile, z. Florent Muqaj, në vitin 2016, e cila tanimë është vërtetuar edhe nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila ka nxjerrë aktgjykim lidhur me këtë çështje.
Në kuadër të emisionit TEMPUS është diskutuar edhe lidhur me shkresat e Ambasadës Britanike dhe komunikimin me Këshillin Prokurorial të Kosovës. Në komunikimin e datës 20 janar 2022, Ambasada Britanike theksonte se përgjatë dy muajve të fundit, stafi i saj u ka shkruar kryesuesit Maloku dhe kryeprokurorit Lumezi, duke kërkuar përgjigje lidhur me ofertën e tyre për mbështetje më të ngushtë nëpërmjet Projektit të Rekrutimit, marrë parasysh faktin se pozita e Kryeprokurorit të Shtetit është një ndër pozitat më të rëndësishme në hierarkinë institucionale.
Kjo mbështetje në procesin e rekrutimit, sipas Ambasadës Britanike, ishte më përmbajtjesore sesa vetëm monitorimi i thjeshtë apo pasiv dhe përfshinte gjithë procesin si të tillë. Injorimi që i është bërë përkrahjes së ofruar nga Ambasada Britanike lidhur me përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit nga ana e Këshillit dhe kryeprokurorit Lumezi, ka bërë që Ambasada të tërhiqet plotësisht nga monitorimi i këtij procesi.
Në këtë drejtim, Këshilli Prokurorial i Kosovës do të duhej të sqarojë për publikun lidhur me veprimet dhe masat që do t’i ndërmarrë për të siguruar integritetin e procesit të përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe kthimit të besimit të publikut në sistemin prokurorial.
Qasja kur KPK-së i pengon debati publik dhe deklarimet lidhur me gjendjen në të cilën gjendet ky sistem është për keqardhje. Për më tepër, kjo qasje dëshmon tendencën për t’u fshehur prapa skenarëve të cilët kanë një synim kryesor: riciklimin e personave në udhëheqje të sistemit prokurorial.
Autori i emisionit TEMPUS mbetet i hapur për të gjithë, përfshirë bartësit e sistemit prokurorial, të cilët, edhe përmes kësaj përgjigjeje ndaj KPK-së, i fton në mënyrë publike në emisionin TEMPUS në KTV, si forum për të prezantuar fakte. Siç e kemi thënë edhe në raste të tjera, kjo bëhet për shkak se, për dallim nga bartësit aktualë të funksioneve prokuroriale, TEMPUS është i interesuar që e vërteta të dalë në shesh.