Arbëri

Mosmonitorimi nga ndërkombëtarët, sinjal për mostransparencë në zgjedhjen e kryeprokurorit

Ambasada britanike në Kosovë është befasuar që Këshilli Prokurorial i Kosovës ka hapur garën për Kryeprokuror të Shtetit pa u kthyer përgjigje nëse e pranojnë ose jo mbështetjen e kësaj ambasade. Megjithëkëtë, KPK-ja ka bërë të ditur se e ka njoftuar këtë ambasadë, ndërsa nga Ministria e Drejtësisë kanë deklaruar se monitorimi i procesit nga partnerët ndërkombëtarë është jetik për mbarëvajtjen e tij

Inicimi i hapjes së konkursit për Kryeprokuror të Shteti ka ngjallur reagime shkaku i rëndësisë së madhe që ka.

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, në vazhdimësi, ka ofruar ndihmë në konkurset për kryeprokurorë, si dhe për anëtarë të Këshillit Prokurorial.

Gatishmëri nëpërmjet një reagimi publik kanë thënë se kanë shprehur edhe për këtë proces, porse nuk kanë marrë përgjigje.

“Ambasada britanike ka vite që mbështet Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Së fundmi, kemi ofruar mbështetje edhe për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Përderisa ne ishim duke pritur përgjigje nga KPK-ja, vendimi i djeshëm për ta shpallur pozitën pa mbështetjen tonë, ishte befasues. Edhe përkundër faktit se një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë u humb, presim që KPK-ja të zhvillojë proces rekrutues të mirë, transparent dhe meritor”, thuhet në reagimin e këtij institucioni.

Këshilli Prokurorial i Kosovës në takimin e fundit të mbajtur ka marrë vendim të mërkurën për shpallje të kandidaturës për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Për zëvendësministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahu, është jetike që ky proces të monitorohet nga partnerët ndërkombëtarë.

“…i ftoj edhe Ambasadën britanike, amerikane, shoqërinë civile dhe mediet të monitorojnë me përpikëri përzgjedhjen e kryeprokurorit të ri, sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme të dalë një prokuror, i cili i ka për detyrë t’i luftojë krimin dhe korrupsionin brenda institucioneve dhe më gjerë”, ka deklaruar Sallahu.

Sipas tij, kriteri i parë është që në krye të Prokurorisë së Shtetit të vijë një person sikurse prokurori Blakaj, i cili do t’i luftojë krimin dhe korrupsionin.

“Besoj që ky është kriteri i parë që do të vijë, jo Elezi ndoshta ai që është në Amerikë, sepse varet prej vullnetit të tij, por Eleza të njëjtë në kuptimin e punës që ka bërë ai. Elezi që njëmend e lufton krimin”, ka deklaruar ai.

Sallahu ka komentuar edhe punën e kryeprokurorit aktual.

“Nuk jam autoritet që mund të vlerësoj punën e një organi tjetër të pavarur, mirëpo ajo që mund të them është që nuk mbaj mend, ndoshta edhe është defekt i imi në kuptim të mbamendjes, që ndonjë punë serioze e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar është bërë nga KPK-ja dhe nga kryeprokurori”, ka thënë ai.

Vetëvendosje, partia që Sallahu e përfaqëson, vazhdimisht ka akuzuar kryeprokurorin në largim, Aleksandër Lumezi, për mospunë, duke kërkuar që ai të shkarkohet dhe që në vend të tij të vijë prokurori Elez Blakaj, i cili e lëshoi Kosovën me arsyetimin se ishte i shantazhuar dhe se nuk po mundej ta ushtronte detyrën e tij.

Në anën tjetër, Këshilli Prokurorial ka mohuar që konkursi është shpallur pa konsultim me Ambasadën e Britanisë së Madhe në Kosovë.

KPK-ja i ka njoftuar me kohë të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë lidhur me agjendën e takimit të 208-të të saj, në të cilin ishte caktuar si pikë e rendit të ditës propozimi për shpalljen e konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, ashtu siç ka marrë vendim për shpalljen e konkursit, duke u bazuar në afatet ligjore, do t’i vazhdojë të gjitha procedurat deri në zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, duke i respektuar ligjet dhe aktet e tjera nënligjore që e rregullojnë këtë proces.

Nga 17 janari do të jetë e hapur zyrtarisht gara për Kryeprokurorin e Shtetit. Gjatë vitit të kaluar ka pasur diskutime nëse ky konkurs duhet të procedohet me ligjin aktual dhe përbërjen aktuale të KPK-së, apo të amendamentohet ligji dhe të ndërrohet përbërja e këtij këshilli.

Kryeprokurorit aktual, Aleksandër Lumezi, mandati i përfundon në muajin prill.