Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Përfunduan “Ditët e Agimit”, rikujtohet vepra e Agim Ramadanit

Manifestimi treditor tradicional kulturor “Ditët e Agimit”, i cili i kushtohet figurës së dëshmorit të kombit, Agim Ramadani, në ditëlindjen e tij, ka përfunduar me tubimin qendror në fshatin Zhegër të Gjilanit me moton “I këndojmë Agimit”, njofton kumtesa komunale, transmeton Koha.net.

“Sot, së bashku me mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, po e shënojnë rilindjen e madhe të Agim Ramadanit. Kjo rilindje ishte sinonim i lirisë. Agimi u sakrifikua për të jetuar shqiptarët bashkë, të lirë e të barabartë, pa e cenuar e kërcënuar askënd. Jam i nderuar që sot jam pjesëmarrës në rilindjen e madhe të Agim Ramadanit, vendlindjen e tij, në Karadakun i cili sivjet shënon përvjetorin e madh të Idriz Seferit”, ka thënë ne fjalën e tij para të pranishmëve kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Fjalë përshendetëse pati edhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, i cili tha se personalisht e ka admiruar Agim Ramadanin si shembull të ushtarit të zot, si njeri i pastër dhe si ai që për bashkëluftëtarët është vëllai më i mirë që e ke afër.

Në emër të Brigadës “138 Agim Ramadani” ka folur Xhafer Gashi, duke thënë se Agimi ishte njeri i unitetit dhe se ai çdo kund gjendej aty ku e kërkonte atdheu.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka deklaruar se është një ditë e gëzuar që sot nderohen me këngë e me poezi heronjtë e luftës, duke uruar që vepra e Agimit të shkojë e plotë në zemrat e çdo shqiptari.

Në emër të familjes Ramadani të pranishmit i ka falënderuar vëllai i Agimit, Jashar Ramadani, i cili u zotua se, si familje, do të vazhdojnë ta japin kontributin dhe përkrahjen e përbashkët në interes të të gjithë qytetarëve.

Tubimi “I këndojmë Agimit” është përmbyllur me një program të pasur kulturor-artistik, ku performuan këngëtarët të mirënjohur të estradës kosovare.​