Ka përfunduar zyrtarisht numërimi i kutive për kandidatët preferencialë, një risi kjo në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri. Partia Socialiste në këto zgjedhje ka arritur t’i sigurojë 74 mandate, po aq sa në zgjedhjet e vitit 2017. Partia Demokratike ka siguruar 59 mandate në të gjithë vendin, Lëvizja Socialiste për Integrim 4 mandate dhe Partia Social Demokrate 3 mandate.
Gjashtë ditë nga zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilrijan Celibashi, zhvilloi një konferencë për media, ku prezantoi emrat e rinj të kandidatëve pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Votat për kandidatët rezervuan dhe surpriza. Ish-kryeministri Pandeli Majko, i renditur me nr.19 në listën e Tiranës, nuk do të jetë pjesë e legjislaturës për 4 vjetët e ardhshëm. Majko për herë të parë ka fituar mandatin e deputetit në Kuvendin e Shqipërisë në zgjedhjet e 29 qershorit të vitit 1997. Që nga legjislatura IV e vitit 1997, Pandeli Majko ka qenë i pranishëm si deputet i PS-së në të gjitha legjislaturat në vijim.
Në një postim në Facebook, Majko fajëson sistemin elektoral. “Miq, megjithëse matematika më rendit në 10 kandidaturat e votuara në qarkun e Tiranës në zgjedhjet e 25 prillit, unë nuk do të jem deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Sistemi elektoral është ky që kemi pranuar. Përvoja më ka mësuar se duhet të jesh i gatshëm të shohësh atë që ekziston. Isha i bindur se do t’i fitonim 19 mandate në Tiranë. Ndaj, fushatën për numrin tim personal 19 e kalova në plan të dytë. Edhe për këtë arsye rezultati nuk është një përrallë që e mposht me logjikë. Ju falënderoj që votuat për numrin 12, Partinë Socialiste”, thotë ai.
Më herët gjatë fushatës, Majko ishte shprehur se do të tërhiqej nga politika nëse nuk fitonte, po tani? Veterani i PS-së mban fjalën dhe për të thënë mirupafshim zgjedh një shprehje të të atit, ish-pilot. “Siç do të thoshte im atë ndjesë pastë… ‘19-ta kërkon leje për t’u ulur në aeroport!’ Ju jam mirënjohës që më bëtë ky që jam. Shpresoj t’u kem dhënë ‘everything’! Mirupafshim! Pandi Tiranë 30 Prill 2021”, deklaron Pandeli Majko.
Jashtë parlamentit ka mbetur edhe Mimi Kodheli, shqiptarja e parë që arriti ta marrë postin e nënkryetares së Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Kodheli, me këtë rast, do ta humbasë postin e lartë që mban në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, pasi ky post është i barasvlershëm me atë të deputetit të Kuvendit të një vendi anëtar të NATO-s.
Taulant Balla është deputeti më i votuar në rang vendi, ndërsa pas tij vjen Fatmir Xhafaj. Lulzim Basha ka arritur të marrë më shumë vota personale sesa Edi Rama, ndërsa gratë më të votuara nga dy partitë kryesore janë Belinda Balluku e PS-së dhe Grida Duma e PD-së. Kryetari i PS-së dhe kryeministri Edi Rama duhet të zgjedhë mes Durrësit dhe Vlorës, pavarësisht se gjatë fushatës elektorale ka deklaruar se do ta mbajë mandatin e deputetit në qarkun që do ta votojnë më shumë. Kjo do të jetë një zgjedhje personale e tij, por Durrësi nëpërmjet votave ka treguar që e vlerëson më shumë sesa Vlora. Në të njëjtën dilemë do të kalojë edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, pasi nga 4 deputetë që ka marrë kjo parti, 2 mandate i janë dhënë lideres së kësaj force. Nëse do të heqë dorë nga Fieri, ajo zëvendësohet nga Kejdi Mehmetaj, por nëse do të zgjedhë t’ia lërë dikujt tjetër Tiranën, atëherë komisioneri do ta interpretojë Kodin Zgjedhor, pasi në lojë janë Petrit Vasili, Floida Kërpaçi dhe Përparim Spahiu.
Ndryshe nga Rama dhe Kryemadhi, Tom Doshi ka dhënë dorëheqjen nga 2 mandatet e deputetit, për t’u zëvendësuar në Tiranë me kandidatin e dytë në radhë, ndërsa në Shkodër kandidatja e tretë është grua.
Ndërsa përveç emrave që humbën dhe fituan më 25 prill, 83 mijë qytetarë nuk do të përfaqësohen në parlament, pasi vota e tyre është bërë e pavlefshme nga mungesa e informacionit apo me qëllim. Megjithatë, kjo mbetet për t’u zgjidhur nga autoritetet shqiptare.
Komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilrijan Celibashi, theksoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë një fushatë informimi dhe edukimi si asnjëherë tjetër. Sipas tij, është përdorur çdo mjet i komunikimit masiv, që nga media tradicionale dhe deri te rrjetet sociale për ta thjeshtëzuar modelin e ri të fletës së votimit. Dilemës se nëse do kishte rreth 83.000 vota të pavlefshme në rang kombëtar, po të ishte përdorur modeli i fletës me emra, kryekomisioneri e argumentoi si çështje këndvështrimesh, por megjithatë pranoi se duhet bërë një analizë. “Në vlerësimin tim, nëse fleta e votimit do të ishte me emra, ndoshta mund të ishte ndryshe, por nga ana tjetër vendimmarrja e KAS-it dhe Kolegjit Zgjedhor konsideroi fletën e votimit me numra si më të thjeshtë", tha Celibashi.