“Platforma e parimeve për bashkimin e demokratëve”, e prezantuar të shtunën nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike në Shqipëri, Enkelejd Alibeaj, ka nxjerrë në pah ndarjen e thellë që ekziston brenda kësaj partie. Të paktën 32 deputetë, që përbëjnë shumicën e grupit, e kanë firmosur dokumentin, duke dëshmuar se ndonëse ka marrë kontrollin e selisë së partisë, ish-kryeministri Sali Berisha, nuk ka mundur të ketë mbështetjen e gjerë të deputetëve, edhe pas dorëheqjes së ish-kryetarit Lulzim Basha.
Demokratët numërojnë 59 mandate, nga të cilat 6 i përkasin aleatëve të saj, të cilët kanë qëndruar larg përplasjeve të forta në PD. Berisha duket se ka mbështetjen e të paktën 15 deputetëve, ndërsa një grup i vogël qëndron ende i parreshtuar haptazi.
Platforma kërkon ndërprerjen e proceseve të nisura nga Berisha dhe mbështetësit e tij, duke nisur që nga zgjedhjet e drejtuesve lokalë që po mbahen në degët e partisë. Propozohet edhe ngritja e një grupi pune të përbashkët me deputetë “për hartimin dhe ndjekjen e zbatimit të planit të detajuar për realizimin e proceseve të zgjedhjeve dhe organizimit të partisë”.
“Aktet e njëanshme, rruga e njëanshme, proceset e njëanshme dhe përjashtuese për mijëra e mijëra demokratë, nuk i shërbejnë Partisë Demokratike, e për rrjedhojë as interesit të demokratëve”, ka deklaruar Alibeaj, raporton “VoA” të shtunën.
Por reagimi ndaj propozimit të Platformës ishte kategorikisht refuzues.
“Jemi të gatshëm që me grupe auditi të verifikohet çdo procedurë zgjedhore, nëse është zhvilluar konform statutit të PD-së, të miratuar në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit 2021, dhe udhëzimeve përkatëse. Por në asnjë rast, dhe në asnjë rrethanë, procesi i nisur prej muajsh nga Kuvendi i 11 dhjetorit dhe i rikonfimuar bindshëm nga vota e demokratëve në zgjedhjet e 6 marsit, nuk do të ndalojë”, ka thënë Flamur Noka, anëtar i Komisionit të Rithemelimit.
Edhe
Alibeaj jep dorëheqje nga drejtimi i Partisë Demokratike
Një ditë më parë ish-kryeministri Sali Berisha i kishte paraprirë këtij qëndrimi.
“Ka një parim themelor, grupi parlamentar është grupi i PD-së dhe jo PD-ja e grupit parlamentar. Janë gjëra këto të cilat ndahen në themel. Deputetët e PD-së janë ose do të jenë sipas statutit të ri, anëtarë të Këshillit Kombëtar si dhe anëtarë të kryesive të degëve në zonat ku ata janë deputetë. Por strukturat e partisë siç do të zgjedhin deputetët në primare, zgjedhin organet e tyre drejtuese. Kështu që, nuk ka asnjë komision që mund t’u diktojë atyre degëve që të zhbëjnë zgjedhjet që kanë bërë”, qe shprehur Berisha.
Alibeaj po akuzohet nga Berisha se po punon për interesat e Bashës dhe të kryeministrit Edi Rama. Ndërkaq, Alibeaj është shprehur publikisht se PD-ja s’mund të udhëhiqet nga një person i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara.