Përçarës e i pavend është konsideruar takimi i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me të nominuarin për kryeministër nga PAN-i, Ramush Haradinaj.
Dy partitë tjera, LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë thënë se Presidenti nuk ka tentuar t’i takojë ata dhe duke takuar vetëm Haradinajn, po del jashtë rolit të tij kushtetues.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në një intervistë për KTV-në, ka kërkuar sqarime nga Presidenti për këtë takim.
Edhe nëse ai ka qenë në kapacitete private, sipas Hazirit, tani do të ishte kohë e papërshtatshme të ndodhte.
Presidenti i Kosovës, ish-kryetar i PDK-së, nuk ka sqaruar arsyen e mosthirrjes së seancës konstituive edhe pas 5 ditësh të certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit.
Zyra e Thaçit nuk është përgjigjur në pyetjet e KTV-së për arsyet e kësaj vonese.
Sipas Kushtetutës, Presidenti duhet ta thërrasë seancën brenda 30 ditëve që nga shpallja e rezultatit zyrtar të zgjedhjeve.
Paraardhësja e tij, Atifete Jahjaga, caktimin e seancës e kishte bërë vetëm tri ditë pas certifikimit të zgjedhjeve.