Ndonëse në kundërshtim me ligjin, implementimi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike tash e dy muaj është shtyrë për afat të pacaktuar. Dalja në tregun e lirë ishte paraparë që të bëhej nga viti 2017, por me kërkesa të bizneseve dhe me vendim të ZRRE-së për katër vjet radhazi është shmangur liberalizimi. Edhe këtë vit, bizneset e mëdha po kërkojnë shtyrje të liberalizimit si dhe ndryshim të legjislacionit për treg të lirë
Në kundërshtim me direktivat e Bashkimit Evropian dhe legjislacionin në fuqi, për të katërtin vit radhazi, Kosova vazhdon ta shtyjë liberalizimin e tregut të energjisë elektrike. Përmes Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, Zyra e Rregullatorit për Energji kishte paraparë që në tregun e lirë të kalohej më 31 mars 2017.
“Rregullimi i çmimeve të prodhimit do të ndërpritet më së largu më 31 mars të vitit 2017 dhe KEK Sh.A. do të ofrojë të gjithë energjinë e prodhuar me çmime të parregulluara”, thuhet në Udhëzuesin e Liberalizimit. Por, që nga 2017-a tregu i hapur është shtyrë për nga një vit të plotë, ndërsa sivjet ka dy muaj që është shtyrë për afat të pacaktuar.
Në ZRRE theksojnë se zgjidhja e kësaj çështjeje ka mbetur peng i bordit të pakompletuar, i cili nuk ka kuorum për vendimmarrje. Për marrjen e vendimeve, bordi i ZRRE-së ligjërisht kërkohet të jetë i përbërë prej tre anëtarëve nga pesë sa parasheh ligji të jenë gjithsej.
“Bordi i ZRRE-së që nga 14 dhjetori 2020 vazhdon të jetë jofunksional dhe në këto rrethana asnjë vendim nuk mund të merret deri në kompletimin e Bordit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.
Ndërkohë, bizneset kërkojnë që përmes ndryshimit të legjislacionit për tregun e energjisë elektrike të gjendet zgjidhje afatgjate dhe e përshtatshme. Bizneset e mëdha, sidomos ato prodhuese që janë të kyçura në tensionin 10 dhe 30 kilovolt po ndihen të rrezikuara që në mungesë të një vendimi apo zgjidhjeje afatgjate, pasi sipas tyre, pa paralajmërim, mund t’u imponohet kalimi në tregun e lirë të energjisë.
Vllaznim Osmani nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës thotë se është e papranueshme që të liberalizohet tregu kur ofertues dhe operatorë funksionalë për furnizim me energji është vetëm një kompani.
“Kërkesa jonë është që të rishqyrtohet e gjithë baza ligjore në bazë të së cilës vetëm se janë marrë hapat për liberalizim të tregut. Ne mendojmë që hapat të cilët janë marrë janë të gabuar dhe andaj është shumë e logjikshme të rishqyrtohet komplet baza ligjore, e cila faktikisht formulohet në atë mënyrë që krijon një treg të mirëfilltë të liberalizuar”, ka thënë ai.
Deri më tani, Rregullatori ka licencuar 8 kompani për kryerjen e funksionit të furnizimit me energji elektrike, por vetëm KESCO e kryen këtë shërbim, dhe në tregun e hapur, ofertat e KESCO-s janë 30 deri në 40 për qind më të shtrenjta.
Në një përgjigje për Kohën, nga ZRRE-ja kanë theksuar se nuk mund t’ua revokojnë licencat furnitorëve të cilët nuk kanë ofertuar.
“Legjislacioni i energjisë në vendin tonë, i bazuar në parimet e tregut të lirë, nuk e mbështet një revokim të licencës në raste të mungesës ofertave të furnizimit. Revokimet e licencës mund të ndodhin vetëm në rastet e shkeljeve të ligjeve, rregullave të tregut apo kontratave që ata lidhin me konsumatorët”, thuhet në përgjigje.
Në lidhje me liberalizimin, bizneset i janë drejtuar Ministrisë së Ekonomisë për t’ua gjetur një zgjidhje. E nga Ministria ia kanë deleguar ZRRE-së të gjitha kompetencat lidhur me këtë çështje, madje as nuk kanë treguar nëse e kanë shqyrtuar kërkesën e bizneseve për inicimin e procedurave për ndryshimin e bazës ligjore.
“Hapja e tregut, procesi dhe sqarimet eventuale rreth këtij procesi do të duhen të adresohen te Zyra e Rregullatorit të Energjisë. E tëra kjo, ngase sipas Ligjit nr. 05/L-084 për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, neni 16, pika 1.9 - ZRRE është përgjegjëse për këtë proces duke përfshirë edhe adresimin e çështjeve relevante që rrjedhin me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë.