Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se shtëpia e tij luksoze 450 metra katrorë, në lagjen Çagllavicë të Graçanicës, ka kushtuar 350 mijë euro, raporton KTV.
Por, në deklarimin e pasurisë, i pari i vendit thotë se ende nuk e ka paguar atë sepse po pret që t’i aprovohet një kredi e me të ta paguajë borxhin e shtëpisë deri në fund të këtij viti, kur thotë se e ka afatin e fundit ta bëjë këtë.
Nga 136 mijë e 688 euro që i kishte në llogari vitin e kaluar, Thaçi i ka investuar në këtë shtëpi 113 mijë euro dhe 15 mijë e 600 në shpenzime tjera familjare, derisa i ka ende të gatshme edhe afër 7 mijë e 500 euro.
Vitin e kaluar, Thaçi kishte deklaruar se posedon dy vetura, një “Audi A4” dhe një “Audi Q5”, ndërsa këtë vit, ai ka deklaruar vetëm veturën Q5 në pronësi të bashkëshortes.
Thaçi ka deklaruar para të gatshme të tij dhe gruas, rreth 24 mijë euro.
E kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është pasuruar brenda 1 viti.
Ai ka më së shumti pasuri në pronë të paluajtshme, ku shtëpi e banesa të deklaruara i ka vlerësuar me afër 1 milion euro ose 944 mijë e 300.
Para të gatshme, kryeministri ka në bankë mbi 70 mijë euro, që janë 66 mijë e 671 euro më shumë se vitin e kaluar.
Gruaja e kryeministrit merr pagë në televizionin publik 660 euro, në kompaninë e sigurimeve ELSIG 1000 mijë euro, aq sa merr edhe në një kompani marketingu.
Haradinaj, gjithashtu, në emër të bashkëshortes, ka deklaruar një veturë në vlerë prej 8 mijë eurosh.
Kurse, kryeparlamentari Kadri Veseli, në pronësi me bashkëshorten ka deklaruar një banesë prej 114 metrash katrorë në vlerë të 97 mijë eurove.
Gjithashtu, Veseli ka deklaruar një lokal afarist, një shtëpi tjetër dhe tokë në mal, por nuk i ka bërë të ditura vlerat e tyre.
Veturën e llojit “Jeep”, Veseli e ka vlerësuar rreth 16 mijë euro, ndërsa para të gatshme ka 7 mijë e 332, përgjysmë më pak se vitin e kaluar.
Një nga personat më të pasur në Kosovë vazhdon të mbesë zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.
Në vlerë prej rreth 19 milionë eurosh ka vetëm prona të paluajtshme, aksione ka rreth 15 milionë, para të gatshme në bankë afër 5 milionë dhe gjithashtu ka në pronësi një avion që e ka vlerësuar 9 milionë e 900 mijë euro.