Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Për produktet ushqimore që importohen kontroll me detyrim ligjor

Prishtinë, 23 nëntor - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, në mbledhjen e sotshme ka shqyrtuar dhe miratuar një varg vendimesh.

Që në hapje të mbledhjes, kryeministri Ramush Haradinaj kërkoi nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të përgatisë të gjitha aktet nënligjore për zbatimin e Ligjit për zonën e rrezikuar të Obiliqit me qëllim që ky ligj të fillojë të implementohet.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kryeministri po ashtu kërkoi raport dhe analizë për gjendjen e kontrollit të produkteve ushqimore që importohen, si dhe pajisjen e tyre me etiketa përkatëse kur plasohen në treg. Ai ka kërkuar nga Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit dhe nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që të përgatisin këto analiza dhe raporte dhe t’ia prezantojnë ato kabinetit qeveritar.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka shqyrtuar draftin e agjendës së takimit të përbashkët me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, e cila do të zhvillohet me 27 nëntor 2017 në Korçë.

Projektligji për Azil ka marrë aprovimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme. Projektligji trajton kushtet dhe procedurat për njohjen e statusit të refugjatit në Republikën e Kosovës. Gjithashtu rregullon mbrojtjen, të drejtat dhe detyrimet e personave aplikues për statusin e refugjatit. Projektligji rregullon edhe procedurat e ankimimit, lëshimit të dokumenteve për personat me status të refugjatit, atyre me mbrojtje plotësuese dhe me mbrojtje të përkohshme.

Kabineti qeveritar ka miratuar Rregulloren për lokacionet, kushtet për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e strehimoreve, si dhe normat teknike për strehimore dhe adaptim të objekteve për strehim.

Qeveria ka miratuar edhe Rregulloren për mënyrën e funksionimit të Komisionit ndërministror për investimet strategjike. Komisioni do të merret me vlerësimin, përzgjedhjen, zbatimin dhe mbikëqyrjen e projekteve për investime strategjike.

Edhe Udhëzimi administrativ për formën dhe përmbajtjen e regjistrit lidhur me projektet që kanë marrë statusin e investimeve strategjike, ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar.

Po ashtu është miratuar edhe vendimi për themelimin e Këshillit Kombëtarë për Inovacion dhe Ndërmarrësi

Është aprovuar propozimi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës që t’i japë autorizimin ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit për nënshkrim të Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin “Evropa Kreative”.

Me vendimin e miratuar sot nga kabineti qeveritar, është plotësuar dhe ndryshuar vendimi për përbërjen e Komitetit Drejtues të rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit në Kosovë, i cili do të ketë këtë përbërje:

Ministria e Drejtësisë; kryesues

Përfaqësues nga Zyra e Presidentit anëtar

Përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit anëtar

Ministria e Punëve të Brendshme (Policia e Kosovës) anëtar

Ministria e Financave (Dogana e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës) anëtar

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësorë të Kosovës anëtar

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës anëtar

Përfaqësues nga Universiteti i Prishtinës, Fakulteti Juridik, anëtar

Përfaqësues të donatorëve ndërkombëtarë që ofrojnë asistencë teknike në përkrahje të rishikimit funksional, anëtar

Qeveria ka aprovuar vendimin për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave të paluajtshme për interes publik, të cilat preken nga ndërtimi i rrugës regjionale Deçan-Kozhnjer, në zonën kadastrale Hulaj të komunës së Deçanit.

Është miratuar edhe vendimi për emërimin e Qemajl Marmullakaj në detyrën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë.

Kryeministri ka kërkuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik që të adresojë shqetësimet e sipërmarrësve vendorë për problemet në lidhje me furnizimin me energji elektrike.

Kryeministri ka propozuar që të ndahen mjete shtesë në buxhetin e Zyrës për Komunitete, në vlerë 24 950 euro, për mbështetjen e projekteve të kësaj zyre në Komunën e Leposaviqit.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka ngritur çështjen e përgatitjes së dokumentit të prioriteteve të Kosovës gjatë kryesimit të CEFTA-s, nga janari i viti 2018.