Për kanalin e dytë të televizionit publik të Kosovës (RTK 2), që transmeton program në gjuhën serbe, 17 Shkurti është ditë krejt e zakonshme.
Madje as në logo nuk është shkruar se është dita e Pavarësisë së Kosovës, si në RTK 1.
Një pjesë e madhe e serbëve të Kosovës vazhdojnë të mos e pranojnë realitetin e Kosovës shtet.
KTV dje ishte në Graçanicë. Në gjithë Kosovën ora e parë e mësimit do të duhej të niste me historinë për pavarësinë e Kosovës, por kjo nuk vlente për shkollat e qytetit fare pranë Prishtinës.
Në komunën e Graçanicës askush nuk ka shpjegime për këtë, me arsyetimin se Drejtoresha për Arsim nuk ndodhej aty dhe askush tjetër nuk ishte i autorizuar të fliste.
Edhe
Në Graçanicë nuk ka shenja të Pavarësisë së Kosovës, askush s’jep sqarime
E në anën tjetër, dita vazhdonte me rrjedhën e zakonshme. Banorët e Graçanicës vazhdojnë të mendojnë se 17 shkurti nuk u takon atyre për të kremtuar.
“Secili ka të drejtë të kremtojë çfarë të dojë. Mua pavarësia s’më duket gjë ngase unë e respektoj shtetin tim Serbinë”, ka thënë një qytetar.
“Kosova s’mund të jetë kurrë e pavarur ngase gjithmonë duhet të varet nga dikush si në të shkuarën. Mua më intereson të jetoj disi dhe pavarësia s'më duket me rëndësi. Çdo situatë e pazgjidhur si kjo e Kosovës është e keqe”, ka thënë një tjetër.
Ndërsa sot, veriu i Mitrovicës është zgjuar me pankarta nëpër mure dhe dyqane të shumta për okupimin e Kosovës.
Në qytet vërehen pothuajse kudo pankarta të tilla me fotografi të duarve të prangosura në të cilat shkruan “10 vjet të okupimit të Kosovës e Metohisë”.
Mbishkrimi përveç në gjuhën serbe dhe alfabetin cirilik, është shkruar edhe në shqip dhe anglisht.
Edhe
Sheshet gjithandej Kosovës kumbojnë në 15-vjetorin e shtetësisë
Përmes këtyre pankartave, qytetarët serbë të veriut dërgojnë mesazh se Kosova është pjesë e Serbisë dhe se ajo është e okupuar nga Bashkësia Ndërkombëtare. Përgjegjësit e policisë në veri të Mitrovicës nuk kanë pasur përgjigje për këtë.
17 shkurti i 2018-ës është vetëm edhe një vit më shumë, i cili shqiptarët e serbët i gjen thellësisht të ndarë.