Banorët e kësaj ndërtese në komunën e Skenderajt po ankohen se jeta në të po u vështirësohet çdo ditë e më shumë, raporton KTV.
Problem kryesor për ta mbetet mungesa e ashensorit edhe disa vjet pas lëshimit të objektit për banim.
Ata shpjegojnë se në këtë ndërtesë jetojnë të moshuar me probleme serioze shëndetësore, të cilët e kanë të pamundur të ngjiten në katet e larta të këtij objekti shtatëkatësh. Thonë se kur i blenë banesat, plani ishte që në ndërtesë të vendosej ashensori.
Për zgjidhjen e këtij problemi tregojnë se i kanë ofruar pronarit Xhevdet Babaj edhe ndihmën financiare për ta blerë ashensorin por as këtu nuk kanë hasur në mirëkuptim. Ndërsa familja e pronarit, e cila jeton në katin e parë të kësaj ndërtese, nuk ka pranuar të deklarohet lidhur me këtë rast.