Arbëri

Pensionohen 8 gjyqtarë brenda 8 muajsh, KGJK-ja hap konkurs vetëm për tre

Më shumë se 100 lëndë për një muaj arrijnë në Departamentin e Kundërvajtjes në Gjykatën e Apelit.

Megjithatë, nga qershori ky departament ka mbetur pa asnjë gjyqtar. Tash e disa vjet ky departament ka pasur dy gjyqtarë. Njëri nga ta është pensionuar në fund të vitit të kaluar, ndërsa tjetri nga muaji qershor.

Kryetari i kësaj gjykate, Hasan Shala, ka treguar për problemet që po u shkakton mungesa e gjyqtarëve. Në total, nga fundi i vitit të kaluar janë pensionuar tetë gjyqtarë të kësaj gjykate. Ende asnjëri nuk është zëvendësuar, raporton KOHA.

Përveç Departamentit të Kundërvajtjes, në vështirësi është edhe ai i Krimeve të Rënda, nga i cili janë pensionuar dy gjyqtarë.

Me gjithë faktin që kjo gjykatë është duke operuar me tetë gjyqtarë më pak, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka hapur konkurs për tre sish.

Megjithatë, kërkesa e kësaj gjykate ka qenë që të pranohen edhe 15 gjyqtarë të rinj.

Kësaj gjykate ka mundësi që së shpejti t’i ikin edhe dy gjyqtarë të tjerë. Ata kanë konkurruar për t’u zgjedhur në Gjykatën Supreme. Me këtë numri i gjyqtarëve do të zvogëlohet për dhjetë, për më pak se një vit.

Gjykata e Apelit është instanca e vetme që ka punuar pothuajse normalisht gjatë pandemisë. Kjo, për shkak që një numër i madh i seancave në Apel mbahen pa publik.