Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pensionistëve kontributpagues po u mohohet e drejta themelore

Avokati i Popullit Hilmi Jashari bëri me dije se kanë pasur shumë ankesa nga qytetarët e vendit për të drejtën në pension kontributpagues, si dhe të drejtën në shfrytëzimin e pensioneve të tjera të aplikueshme në Kosovë.

“Ne kemi bërë një raport, të cilin ia kemi dërguar MMPS-së. Ka p.sh persona që kanë paguar për pleqëri, kurse tani marrin vetëm një pension p.sh të veteranit të luftës. Ndërkaq MMPS-ja ua ka ndalë pensionin e pleqërisë që është e drejtë e tyre elementare. Për këtë ne kemi reaguar dhe kërkojmë të ndryshohet ligji”, i tha ai sot RTK.

Sipas tij pensioni kontributpagues është pronë e çdo individi. “Në këtë pjesë janë atakuar kategoritë e dala nga lufta, pra veteranët e luftës. Ka qytetarë që u takojnë të dy pensionet, por qytetarët po zgjedhin pensionin më të lartë”, theksoi ai.

Jashari tha se edhe Strasburgu ka vendosur që pensioni kontributpagues është pronë e çdo individi dhe institucionet e Kosovës duhet të respektojnë atë.

“Ne presim që institucionet e Kosovës të reagojnë dhe të pranojnë rekomandimet tona. Ne presim ndryshim. Zgjidhja është në dorë të Kuvendit të Kosovës. Ne presim nga ministri i Punës të zgjidhë këtë problem”, tha ai.

Sipas tij nuk ka shifra zyrtare se sa qytetarë janë atakuar nga vendimi për mos lejim të marrjes së dy pensioneve.

Artikuj të ngjashëm