Arbëri

Pensionistët e Prizrenit bëhen me hapësirë për shoqërim

Prizren, 7 nëntor - Të moshuarit që jetojnë afër Lagjes së Terzive në Prizren tash e tutje e kanë mundësinë që kohën e tyre të shoqërimit ta kalojnë në objektin e qëndrimit ditor, dedikuar enkas pensionistëve.

Sipas autoriteteve komunale, krahas mundësisë për zhvillimin e aktiviteteve, në këtë hapësirë për të moshuarit do të ofrohet edhe përkujdesje shëndetësore falas.

Pensionistët pohojnë se deri tani nuk e kanë pasur ndonjë hapësirë të tillë dhe se janë detyruar që të shoqërohen nëpër kafene, me shpenzime që kanë qenë barrë për buxhetin e tyre të kufizuar.

“Kjo është një përparësi për gjithë pensionistët e Lagjes Terzimahalla. S’kanë pasë ku të argëtohen përveç në kafe. Në kafe harxhimet e dini se sa bëhen”, ka thënë Shani Shishko, pensionist.

Zyrtarët e lartë të Komunës së Prizrenit kanë pohuar se ka pasur kërkesa për një hapësirë të tillë dhe se ky projekt, që ka kushtuar afro 57 mijë euro, është zbatuar pas vështirësive për ndërtimin e një shtëpie me përkujdesje 24-orëshe për të moshuarit.

“Këtu të moshuarit do të kenë mundësi që të kalojnë kohën e tyre pa kosto, se zakonisht një nga problemet që kanë është që nëse shkojnë nëpër kafiteri duhet të shpenzojnë dhe në atë aspekt ne e dimë se si është gjendja e të moshuarve me pensionet në Kosovë”, ka thënë kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Islam Thaçi, drejtor i Mirëqenies Sociale në Komunën e Prizrenit, ka thënë se në qëndrim ditor do të ofrohen shërbimet për personat e moshuar që kanë përkujdesje familjare, por që një pjesë të kohës nuk kanë ku ta kalojnë. “Realisht do të jetë si një qendër ku do të zhvillohet aktiviteti i tyre brenda hapësirës kohore kur s'kanë përkujdesje, d.m.th aktivitetet sociale, etj.", ka thënë Thaçi.

Sipas zyrtarëve komunalë, planet janë që në vitin e ardhshëm të ndërtohet edhe një objekt i kësaj natyre dhe që menaxhimi i këtyre hapësirave të bëhet në bashkëpunim me Shoqatën e Pensionistëve.