Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci të enjten ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ (UA) për kushtet dhe kërkesat teknike që duhet plotësuar nga strehimoret e kafshëve shoqëruese.
Sipas njoftimit të Ministrisë ky akt ligjor ua përcakton komunave në mbarë territorin e Kosovës, kushtet se si duhet t’i trajtojnë kafshët shoqëruese.
Në njoftim thuhet se Peci me këtë rast ka thënë se synimi i tyre është krijimi i ambienteve të sigurta për fëmijët dhe qytetarët në rrugë dhe njëkohësisht edhe përkujdesja e duhur për mirëqenien e kafshëve endacake në përputhje më praktikat më të mira ndërkombëtare.
“UA për kushtet dhe kërkesat teknike që duhet plotësuar nga strehimoret e kafshëve shoqëruese mes tjerash rregullon edhe këto fushëveprime: Krijimin e një programi për kontrollin e qenve endacakë, organizimin e strehimores së kafshëve që do të mbështesë zbatimin e planeve lokale të kontrollit të popullatës së qenve dhe maceve, sigurimin e një lokacioni të sigurt për deponimin e trupave të kafshëve të ngordhura nga Komunat në mbarë territorin e Republikës së Kosovës. Përmes këtij Udhëzimi Administrativ, përcaktohen në detaje veprimet dhe sjelljet ndaj qenve endacakë që nga momenti i kapjes, izolimit, trajtimit, kastrimit, sterilizimit, fazës post-operative, socializimit, adoptimit dhe lëshimit”, citohet të ketë thënë Peci.
Gjithashtu, ky udhëzim thuhet se përcakton qartazi kushtet në të cilat do të trajtohen qentë dhe macet, ambientet e ndara për çdo fazë, të përshtatshme me nivel të lartë të higjienës.
“Këto strehimore, do të jenë të hapura për qytetarë të cilët do të kenë mundësi që t'i vizitojnë e njëherit edhe të adoptojnë qen apo mace. Po ashtu, në funksion të këtyre strehimoreve, udhëzimi parasheh edhe kujdestarinë, ku qytetarët mund të kenë qasje në çdo kohë e orë për të raportuar çdo eventualitet”, thuhet në njoftim.
-
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve: AUV-i urdhëroi mbylljen e 2 strehimoreve ilegale të qenve
-
Protestohet kundër qasjes së Komunës së Prishtinës për trajtimin e qenve endacakë
-
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve publikon videon ku një qen shihet duke u keqtrajtuar në strehimore
-
Shokët ndërtojnë strehimore për qentë endacakë në Ferizaj
-
Veterineri ndërton strehimore për qentë endacakë në Vushtrri, i kushtoi 100 mijë euro