Nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, po i duket “Deja vu” refreni i LDK-së se nuk do të bashkëqeverisë më me PDK-në.
Por Krasniqi, duke folur në Rtv Dukgjini ka thënë se partia e tij nuk do ta lëshojë më postin e kryeministrit, siç bëri pas zgjedhjeve të fundit.
“E kemi bërë këtë një herë dhe nuk ka funksionuar si duhet. Këtë herë ne do të jemi insistues absolut për ta udhëhequr Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Krasniqi, teksa ka shtuar se deklarimet e anëtarëve të LDK-së, se më me PDK-në nuk do bashkohen, Krasniqi tha se kjo po i duket si “Deja vu”.
“Të njëjtat qëndrime janë thënë edhe në zgjedhjet tjera. Kam qenë në disa debate me përfaqësues të tyre, kur iu kam thënë se ne nuk kemi vija të kuqe. Ju kemi thënë se preferojmë të jemi me juve ose me të tjerët që na kanë thënë asnjëherë me juve. Në politikë nganjëherë duhet të mbizotërojë më shumë arsyeja sesa pjesa emocionale”, shtoi Krasniqi, derisa nuk e ka përjashtuar mundësinë që prapë të bashkëqeverisin me LDK-në.