Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK-ja për videon e VV-së: Pafytyrësi, hipokrizi dhe mashtrim banal

Adri Nurellari, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, e ka quajtur pafytyrësi, hipokrizi dhe mashtrim banal videon e postuar nga Lëvizja Vetëvendosje në rrjetet sociale të hënën ku kritikohen ish-liderët e Kosovës.

Nurellari ka thënë se video e tillë është qesharake dhe lë shije të hidhur. Sipas tij, VV-ja duhet ta kuptojë që tash është në pushtet e jo opozitë.

“Është një pafytyrësi, hipokrizi dhe mashtrim banal. Është video qesharake që nuk pritet ta bëjë një Qeveri në pushtet. Lë shije të hidhur. Nuk ka më ankesa, këta duhet t’i kryen punët. Ankesat i bëni ju, shoqëria civile, Qeveria merr masa. Ka inspektorë. Mos të sillen si opozitë, por si Qeveri. Nëse ka korrupsion, le t’i nxjerr dosjet. Të marrin masa ligjore. Nuk ka më ministrja e Drejtësisë të dalë në protesta”, ka thënë Nurellari në “60 Minuta” të KTV-së.

Ai e ka konsideruar “goditje nën brez” përfshirjen e ish-kryetarëve të PDK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, në këtë video.

“Ishte traditë të mos merremi me politikanë të cilët janë në Hagë. Ka qenë Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj në Hagë, kishin mjaft kundërshtarë politikë, por nuk u morën me ta. Videoja ishte goditje nën brez për Hashim Thaçin dhe Kadri Veseli. Sot është përmbysur ai uniteti i ndërtuar kundër armikut”, shtoi Nurellari.

Duke iu referuar videos ku shfaqen edhe ndërtimet e larta që kanë ndodhur në Prishtinë, Nurellari argumenton se gjatë kohës së qeverisjes së Vetëvendosjes në kryeqytet janë dyfishuar lejet e ndërtimit krahasuar me qeverisjen e Isa Mustafës. Për këtë, ai thotë se vetë VV-ja është përgjegjëse.

Edhe Politikë me video Arbëri Politikë me video

“Ka qenë Komuna e Prishtinë e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje që ka dyfishuar lejet e ndërtimit nga koha e Isa Mustafës. Drejtor asokohe kanë qenë zyrtarët më të lartë të kësaj qeverisje. Arben Vitia, Arbërie Nagavci, Liburn Aliu, Hyen Durmishi. Ata janë vetë përgjegjës për këtë. Kjo është hipokrizi. Kur e morën Komunën e Prishtinës, i përgatiten 70 dosje korruptive për Isa Mustafën. U bën vite në pushtet, ku janë ato afera”.

Nurellari nuk pajtohet as me retorikën e VV-së në opozitë e tash në pushtet qe 20 vjet është shkatërruar gjithçka. Megjithatë, ai konsideron se ka mundur të bëhet më mirë.

Lëvizja Vetëvendosje postoi të hënën pasdite një video në rrjetet sociale ku kritikohen ish-liderët e Kosovës. Video nxiti reagime të mëdha nga opozita, të cilët akuzuan partinë në pushtet se po përdor propagandë për t’i mbuluar dështimet e qeverisjes së tyre.