Arbëri

PDK-ja paralajmëron padi ndaj deputetit të VV-së

pdk

Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar padi ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, lidhur me deklarimin e tij për u.d. së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinakun dhe ndërlidhjen që e bëri me PDK-në.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, i tha KOHËS se deklarimet e Abrashit, që deklaroi se Klinaku “është instrument politik i PDK-së”, janë absurde, të liga, fyese e qesharake.

“PDK-ja tashmë ka përgatitur padinë për shpifje ndaj deputetit Artan Abrashi, e cila do t’u dorëzohet organeve të drejtësisë. Me shpifje të tilla do të merret vetëm drejtësia dhe ne presim që të gjithë, pa përjashtim, edhe zyrtarët publikë, të marrin dënimin e merituar”, ka thënë Gjoshi të mërkurën.

Sipas zyrtarit të partisë në opozitë, deklarimi i Abrashit nuk do të mbulojë “humnerën në të cilën ka rënë ky shtet”.

“Megjithatë, as një deklaratë e tillë, e pabazuar dhe shpifëse, nuk do të arrijë të mbulojë humnerën në të cilën ka rënë ky pushtet – përmes aferave të vazhdueshme abuzive dhe korruptive. Koordinimin me kriminelët serbë, vjedhjen e rezervave shtetërore, hajninë me energjinë, trafikimin e lëndëve narkotike dhe keqqeverisjen – nuk kanë më fuqi dhe kredibilitet, as moral e as politik, që ta mbrojë askush – aq më pak një deputet i Kuvendit i cili është rekordmen i vjedhjes së mëditjeve për udhëtime – pa i bërë fare ato”, ka shtuar ai.

Abrashi është shprehur të mërkurën se u.d i kryetarit të OVL-UÇK-së është ndërgjegjja e PDK-së, derisa ka shtuar se përdorja e shprehjes “vrasje” nga Klinaku “është dëshmi e qartë që PDK-ja në regjistrin e saj ende s’e ka braktisur vrasjen si mjet ndaj kundërshtarëve”.