Arbëri

PDK-ja nominon drejtorët në Komunën e Prishtinës

Komuna e Prishtinës

Partia Demokratike pritet t’i formalizojë nominimet për udhëheqjen e Drejtorisë së Arsimit, asaj të Shërbimeve Publike, si dhe të Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Prishtinës.

Besianë Musmurati, Ilirik Musliu dhe Plator Gerdovci janë disa nga emrat e drejtorëve të kësaj partie, që do t’i bashkohen kabinetit qeverisës së Përparim Ramës, ka mësuar KOHA.

Asamblisti nga radhët e PDK-së, Leutrim Retkoceri, ka konfirmuar se në mbledhjen e Kryesisë së degës së PDK-së në Prishtinë që do të mbahet gjatë mbrëmjes të së martës, do të vendoset kur do të bëhen publike emrat e drejtorëve të tyre.

E KOHA ka mësuar se publikimi i emrave do të bëhet gjatë së mërkurës.

Besianë Musmurati, e cila do të udhëheqë Drejtorinë e Arsimit në Prishtinë, ka qenë shefe e kabinetet të Uran Ismailit gjatë kohës sa ishte ministër i Shëndetësisë. Po ashtu ishte një nga njerëzit më të afërt të Ismailit gjatë garës për kryeqytetin.

Musmurati ka studiuar në Institutin e Teknologjisë Rochester dhe Universitetin “KU Leuven”. Ka punuar në Parlamentin Evropian, dhe së fundi ishte pjesë e Ambasadës së Kosovës në Uashington.

I nominuari për drejtor të Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, ka fituar votat e mjaftueshme për asamblist. Edhe ai ka qenë mbështetës i afërt i Uran Ismailit, gjatë fushatës parazgjedhore “derë me derë”.

Ai posedon dy biznese të tij, dhe një biznes tjetër si bashkëpronar.

Ndërkaq, Plator Gerdovci që pritet të jetë drejtor i Bujqësisë, është ekonomist dhe ka punuar në Departamentin për mbrojtjen e konsumatorit, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë.

Përparim Rama tashmë ka bërë publike pjesën më të madhe të emrave të ekipit me të cilin do ta udhëheqë Prishtinën për 4 vjetet e ardhshëm, por jo edhe të PDK-së, parti me të cilën do të bashkëqeverisë në këtë mandat.