Subjekti më i madh opozitar në Lipjan, Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Lipjan, ka ngritur një varg dyshimesh ndaj ekzekutivit të Komunës për keqmenaxhim të qeverisjes lokale dhe për pjesëmarrje të paligjshme nëpër ndërtime të larta, andaj ka kërkuar dhjetëra dokumente publike nëpërmjet procedurave ligjore, përfshirë lejet ndërtimore për të gjitha objektet banesore për periudhën 2014-2019.
Përpos kësaj, në mënyrë të veçantë PDK-ja ka kërkuar edhe kontratën ndërmjet Komunës dhe kompanisë “Dino” për ndërtimin e një objekti banesor, shkruan sot Koha Ditore.
Nëpërmjet një kërkese, këshilltari në KK të Lipjanit nga radhët e PDK-së, Ramiz Qeriqi, ka kërkuar edhe kontratën për ndërtimin e sheshit “Adem Jashari” e lidhur ndërmjet Komunës dhe një kompanie private, e cila ka realizuar projektin, si dhe dokumentacionet me të cilin është bërë pranimi teknik i sheshit dhe të gjitha pagesat që janë bërë.
Po ashtu, është kërkuar kontrata e punës e lidhur ndërmjet Komunës dhe kompanisë “Eing.Com” nga Podujeva për pastrimin dhe mirëmbajtjen e parqeve dhe shesheve në Lipjan”.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)