Partia më e madhe opozitare në Prizren ka vlerësuar se matjet e institucioneve dhe organizatave të ndryshme dëshmojnë mungesën e performancës së duhur të qeverisë komunale.
Sipas drejtuesve të degës së PDK-së, Komuna e Prizrenit nuk është kualifikuar për të përfituar nga granti i performancës komunale, dhe se vlerësimi i bërë nga Ministria e Pushtetit Lokal e rendit atë në vendin e 23-të.
Sipas Shaqir Totajt të PDK-së, problematike është edhe renditja në vendin e 10-të në nivel vendi, sa i përket performancës për shërbimet administrative.
Totaj, gjithashtu, ka vlerësuar se qasja e qeverisjes në Prizren bazohet në reklama e ankesa, dhe gjithmonë në kërkim të fajit diku tjetër, e asnjëherë te vetvetja.
“Për këtë performancë të dobët natyrisht nuk mund të jetë fajtor askush tjetër pos partia që e ka pushtetin në Komunën e Prizrenit, sepse po të ishte një performancë e mirë ata do t’i merrnin meritat. Dhe në këtë aspekt kemi një mungesë të resurseve humane që rezulton me mungesë të kapaciteteve menaxhuese. Por, unë vlerësoj se problem serioz mund të jetë edhe mendësia e VV-së”, ka deklaruar ai në një konferencë për media.
Raporti i performancës komunale i MPL-së prezanton rezultatet e komunave nëpërmjet 19 fushave të kompetencave, që janë nën përgjegjësi të tyre.