Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për mostransparencë lidhur me dialogun.
Krasniqi ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook të mërkurën, se është takuar me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Hovenier dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të cilëve u ka shprehur qëndrimin e partisë së tij në mbrojtje të interesave të shtetit të Kosovës.
Krasniqi ka thënë se partitë politike në Kosovë nuk e shohin dialogun si betejë të brendshme politike.
“Në këto takime kam shprehë qëndrimin konsistent të PDK-së në mbrojtje të interesave të shtetit tonë, duke theksuar nevojën për respektim të vendimeve të ligjshme që sigurojnë reciprocitet në raport me Serbinë, si dhe sundimin e ligjit dhe lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve tanë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, kam shprehur bindjen tonë se përshkallëzimi i situatës në veri të vendit duhet të evitohet dhe për këtë, kërkohet angazhimi i të gjitha palëve. Koordinimi i vazhdueshëm i Kosovës me partnerët ndërkombëtar është i domosdoshëm”, ka shkruar Krasniqi.
“Në procesin e Dialogut ne i kemi dhënë hapësirën e nevojshme Kryeministrit dhe Qeverisë për të kryer detyrat e tyre në mbrojtje të interesave të vendit, duke konsideruar se ky proces është i pa alternativë për arritjen e paqes dhe përmbylljen e konfliktit të ngrirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sepse, Dialogun me Serbinë asnjëherë nuk e kemi parë si betejë të brendshme politike. Por, mungesa e transparencës nga ana e Kryeministrit është e dëmshme për arritjen e qëllimeve të Kosovës. Qytetarët kanë të drejtë të plotë që të dinë se cilat janë pozicionet e Qeverisë për të gjitha çështjet që po diskutohen në kuadër të Dialogut”, shtoi ai.
Edhe
PDK-ja fton partitë properëndimore t’i japin Kosovës një “qeveri të përgjegjshme”
Sipas tij, degradimi i dialogut në nivel teknik nuk i ndihmon arritjes së objektivave shtetërore që ka Kosova.
Escobari e Lajçaku të mërkurën gjatë ditës janë takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin, Albin Kurti dhe liderët e partive opozitare.