Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të partisë së tij, ka bërë të ditura qëndrimet, duke filluar nga kërkesa për zgjedhje të përgjithshme të jashtëzakonshme e deri te pezullimi i komunikimit zyrtar me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.
Krasniqi ka thënë se Qeveria Kurti e ka vënë Kosovën në një rang “me Bjellorusinë, Rusinë, Moldavinë e Republika Sërpskan”, duke aluduar në masat që janë marrë nga SHBA-ja dhe BE-ja ndaj Kosovës.
“E para më e rëndësishmja, nga sot kërkojmë që në një kohë sa më të shpejtë të diskutohet për shpalljen e datës së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, qoftë përmes dorëheqjes së kryeministrit Albin Kurti, qoftë përmes shpërndarjes së Kuvendit. Kjo shumicë parlamentare dhe zgjedhjet e kaluara nuk kanë prodhuar këto institucione që ta shkatërrojnë çdo raport të Kosovës me partnerët perëndimorë. E dyta, nga sot më nuk do të votojmë në asnjë forum të Kuvendit të Kosovës, as në komisione e as seanca parlamentare, as ligje, as vendime, as rezoluta apo marrëveshje ndërkombëtare. Situata në Kosovë nuk është normale dhe s’mund ta simulojmë normalitetin, nuk do ta ndihmojmë këtë qeveri arrogante të aktrojë normalitetin”, ka thënë Krasniqi. “E treta nga sot ne shkëpusim e pezullojmë çdo komunikim zyrtar me kryeministrin Kurti e presidentes Osmani, përveç situatave emergjente e të jashtëzakonshme dhe për të diskutuar zgjedhje të parakohshme të përgjithshme. Këta e sollën Kosovën me pas sanksione nga SHBA-ja. Janë këta njerëz që sollën sanksione e masa ndëshkuese nga BE-ja”.
Krasniqi ka thënë se duhet një lëvizje “mbipartiake për ta ndaluar rrënimin që është duke e bërë Kurti”.
“Të gjithë duhet të jemi bashkë të arrijmë qëllimin fisnik. Protagonizmi ka qenë armiku i arritjes së këtyre qëllimeve. Mocion duhet të ketë të shkruar në letër. Mocioni sot është ndërrim i temës. Nuk mjafton me shku në Kuvend me 40 nënshkrime. Do të bëjmë çmos me shkurtu jetën qeverisëse të Kurtit”, ka thënë Krasniqi.
Këshilli Drejtues i PDK-së ka dalë me një deklaratë pas takimit.
