“Qeveria e re komunale në krye me Shaqir Totajn është e interesuar që sa më parë qytetarëve të Prizrenit t’i ofrojë një qeverisje stabile katërvjeçare. Për të dyja këto çështje, jemi duke u takuar me partitë politike, me të cilat mendojmë se do ta drejtojmë komunën, por në të njëjtën kohë do t’i sigurojmë votat për zgjedhjen e kryesuesit”, ka thënë nënkryetari i degës së PDK-së, Kujtim Gashi
Dega e PDK-së në Prizren është duke i vazhduar konsultat me subjektet e tjera politike për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, si dhe për përcaktimin e përbërjes së re të ekzekutivit komunal. Përfaqësuesit e kësaj dege presin që krijimi i shumicës në pushtetin lokal të definohet deri kah mesi i javës së ardhshme.
“Seanca e KK-së do të mbahet javën e ardhshme, të enjten, dhe ne po i bëjmë të gjitha përpjekjet që bashkë me partnerët e koalicionit dhe anëtarët e Kuvendit që ta sigurojmë shumicën për zgjedhjen e kryesuesit të KK-së. Po ashtu, qeveria e re komunale në krye me Shaqir Totajn është e interesuar që sa më parë qytetarëve të Prizrenit t’i ofrojë një qeverisje stabile katërvjeçare. Për të dyja këto çështje, jemi duke u takuar me partitë politike, me të cilat mendojmë se do ta drejtojmë komunën, por në të njëjtën kohë do t’i sigurojmë votat për zgjedhjen e kryesuesit”, ka thënë nënkryetari i degës së PDK-së, Kujtim Gashi.
Aktivistët e shoqërisë civile ditë më parë kanë drejtuar një kërkesë publike në adresë të kryetarit të Komunës së Prizrenit për të përmbushur zotimin për barazi gjinore në ekzekutivin e ri komunal.
“Përfaqësimi i grave në ekzekutivin e Komunës së Prizrenit vazhdon të mbetet një nga sfidat e shoqërisë prizrenase si rezultat i mospërmbushjes së premtimeve elektorale nga ana e kryetarëve të komunave. Agjenda e përfaqësimit të grave dhe burrave në ekzekutivin e komunës është intensifikuar tek në fushatën elektorale në zgjedhjet lokale 2017, e cila fatmirësisht ka vazhduar edhe në fushatën elektorale të zgjedhjeve të vitit 2021. Por, përkundër zotimeve në fushatën elektorale të vitit 2017 që ekzekutivi i Komunës së Prizrenit do të përfaqësohet në mënyrë të barabartë të grave dhe burrave në ekzekutiv (50/50), ky zotim publik nuk u përmbush në fillim mandati nga ana e ish-kryetarit të komunës. Gratë prizrenase u përfaqësuan tek pas dy vjetëve mandat në qeverisjen e kaluar. E kaluara e afërt na ka treguar qasje jo të mirë të kryetarëve të komunave pas fitores së zgjedhjeve lokale. Mësimet nga e kaluara, nuk na lejojnë komoditetin që të mos shqetësohemi. Andaj, përmes kësaj kërkese publike, kërkojmë nga kryetari i ri i komunës sonë, të përjashtojë qasjen kur premtimet publike nuk janë realizuar. Qysh në start, në rastin e konstituimit të ekipit të drejtorëve të drejtorive komunale, duhet të jetësoj zotimin e tij publik që në qeverisjen lokale, do të përfaqësohen gratë dhe burrat në mënyrë të barabartë (50/50)”, thuhet në këtë kërkesë.
Paralelisht me këtë thirrje, është adresuar edhe kërkesa tjetër nga aktivistët që përfaqësuesit politikë në Kuvendin e Komunës së Prizrenit të reflektojnë dhe të zgjedhin një kryesuese të KK-së. “Zgjedhja e një kryesuese të KK-së, do të përmbyllte një cikël shumë vjeçar të angazhimit të përgjithshëm për emancipim shoqëror”, thuhet në kërkesën tjetër.
Nënkryetari i degës së PDK-së në Prizren, Kujtim Gashi ka theksuar se angazhimet e kryetarit Totaj janë për të përmbushur zotimet për barazi gjinore në pushtetin lokal.
Totaj si gjatë fushatës, ashtu edhe pas zgjedhjes në krye të komunës, ka pas një qasje që lidhet me barazinë gjinore, për të reflektuar në këtë temë, jo vetëm për shkak të thirrjes së shoqërisë civile, që gjithsesi është e mirëpritur, por edhe si premtim i tij personal që në qeverisjen e ardhshme komunale të ketë sa më shumë gra për të drejtuar dikastere të rëndësishme. Në këtë kontekst pse jo edhe me pas një kryesuese të KK-së. Por deri më tash PDK-ja si fituese e këtyre zgjedhjeve bashkë me partnerët e koalicionit ende nuk ka diskutuar për emra të përveçëm. Në ditët në vazhdim në organet partiake do ta hapim temën se kush mund të jetë në krye të kësaj legjislature dhe sigurisht se kjo temë do të jetë e përbashkët me ata të cilët janë partnerë tanë të koalicionit. Nuk mund ta konfirmoj tani për tani se a do të jetë burrë apo grua, pasi presim që kjo temë të qartësohet gjatë mesit të javës së ardhshme, pas konsultave që do të kemi me partnerët e koalicionit, por edhe brenda kryesisë së subjektit tonë politik”, ka thënë Gashi.
Pas zgjedhjeve komunale të nëntorit, në KK-në e Prizrenit që ka 41 vende, VV-ja do të përfaqësohet me 12 anëtarë, pasuar nga PDK-ja me 11 anëtarë, LDK-ja me 7, AAK-ja me 3, Nisma me 2, KDTP-ja me 2, derisa NDS, Vakat, SDU dhe YTHP do të përfaqësohen me nga 1 anëtar. PDK-ja në prag të balotazhit ishte pajtuar për bashkëqeverisje me AAK-në dhe Nismën.