Arbëri

PDK-ja dyshon për keqpërdorim të votave në Lipjan, 18 vendvotime do të rinumërohen

Lipjan, 25 shkurt – Pas zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit kanë nisur reagimet dhe pakënaqësitë e shumta nga kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, dega në Lipjan.

Disa prej tyre po pretendojnë se kanë siguruar fakte që votat u janë vjedhur në disa vendvotime, me qëllim që të favorizohen kandidatët e “preferuar”.

Njëri ndër kandidatët e pakënaqur nga radhët e PDK-së është edhe biznesmeni nga Lipjani, Ali Stublla, i cili në disa vendvotime nëpërmjet vëzhguesve ka siguruar numrin e votave personale, por që ato nuk janë publikuar nga komisionerët në formularët e rezultatit të kandidatëve të KKZ-së.

Po ashtu e pakënaqur në këtë proces është edhe kandidatja tjetër nga ky subjekt Lumturije Bytyqi - Hasani, e cila ka sqaruar se në disa vendvotime ua kanë keqpërdorur votat, madje edhe votat e të afërmve të saj.

Ndërkaq, në anën tjetër sipas zyrtarëve të Komisionit Komunal Zgjedhor në Lipjan, shkaku i mospërputhjes së votave dhe dyshimeve për keqpërdorime, pritet të verifikohen 18 vendvotime në Lipjan.

Ali Stublla që kandidoi për deputet nga radhët e PDK-së, ka thënë se KQZ-ja duhet të gjejë mënyra të tjera në të ardhmen për numërimin e votave, sepse keqpërdorimet nëpër vendvotime nuk do të ndalen asnjëherë, ashtu siç janë dëshmuar në disa raste edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Sipas tij, komisionerët gjithmonë kanë mundësi t’i favorizojnë kandidatët e preferuar derisa bëhet numërimi i votave dhe regjistrimi në formularët e KKZ-së.

Stublla ka siguruar nga vëzhguesit e subjektit të tij listën dhe numrin e votave në disa vendvotime, por që ato nuk përputhen me formularët e KKZ-së.

“Si kandidat nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit, ndihem i dëmtuar në këtë proces zgjedhor dhe shprehi indinjatën time të thellë, pasi që në disa vendvotime zgjedhore nuk përputhet numri i votave të mija në formularët e të dhënave të rezultateve (FRK) të publikuara në faqen e KQZ-s me formularët e vëzhguesve tanë të PDK-së që kanë monitoruar procesin e numërimit”, ka sqaruar Stublla.

Ai dyshon se votat e tij janë keqpërdorur në vendvotimin: 1301e/03R , 1310/01D , 1322/03D dhe 1323/04 D.

“Unë në afatin kohor do t’u drejtohem edhe me ankesë zyrtare PZAP-së, si institucion relevant, dhe përgjegjës ndaj këtyre padrejtësive që janë zhvilluar në procesin e numërimit dhe bartjes së votave në formular. Prandaj, kërkoj rinumërim në këto vendvotime, sepse e di mirë kam pasur njerëz të afërm që më kanë votuar. Sidomos në njërin vendvotim në fshatin Konjuh, aty i kam pasur 12 vota, që janë numëruar nga vëzhguesit tanë të PDK-së, kurse në formularët e KQZ-së po figuron zero vota, prandaj kjo është e pa pranueshme, sepse kjo e dëshmon se raste të tilla ka mundur të ketë edhe në shumë vendvotime të tjera duke u favorizuar kandidatët e preferuar”, ka thënë Stublla.

Ndërkaq, kandidatja tjetër Lumturije Bytyqi - Hasani, ka sqaruar se votat më së shumti janë keqpërdorur dhe vjedhur brenda subjektit të saj PDK-së.

“Ne kemi evidentuar shumë lëshime dhe gabime në numërimin e votave nga komisionarët. Ka raste kur unë kam votues të cilët e kanë deklaruar votën ndaj meje ndërsa në atë vendvotim kam zero vota. Unë po presë shpalljen e të gjitha rezultateve, pastaj sipas afatit ligjor do të bëj ankesë në PZAP. Tashmë kam grumbulluar materiale në disa vendvotime, kryesisht në Komunën e Lipjanit. Unë mendoj dhe dyshoj se keqpërdorimet më së shumti kanë ndodhur brenda kandidatëve në subjektin tonë, ndërkaq për subjektet tjera nuk mund ta di”, ka thënë Hasani.

Në anën tjetër, Hamëz Kadriu, shef i Komisionit Komunal Zgjedhor në Komunën e Lipjanit, ka sqaruar se Qendra e Rinumërimit të Rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, është në procesin e numërimit dhe rinumërimit të të gjitha votave nga të cilat do të dalin rezultatet përfundimtare për të gjitha subjektet politike dhe kandidatët e tyre.

“Por nëse ekzistojnë dyshime apo fakte për keqpërdorime të votave, atëherë kandidatët dhe subjektet politike duhet të bëjnë ankesë zyrtare në PZAP në afatet kohore të përcaktuara. Ndërkaq, edhe Lipjani, si në çdo komunë tjetër në rinumërim i ka gjithsejtë 18 vendvotime ku pritet verifikimi i tyre se a ka pasur keqpërdorime apo jo”, ka thënë Kadriu.

Edhe kryetari i PDK-së në Lipjan, Hyzer Rizani, ka thënë se vota është e shenjtë dhe nuk duhet keqpërdorur nga askush.

“PDK-ja dega në Lipjan gjatë gjithë periudhës kohore ka bërë fushatë të përbashkët me të gjithë kandidatët pa dallime. Secili kandidat që është i pakënaqur me rezultate duhet të parashtroj ankesë në PZAP në mënyrë që mos të ketë dyshime”, ka thënë shkurt Rizani.

{gallery}