Partia Demokratike e Kosovës e ka quajtur lajm të mirë pezullimin e vendimit të ZRRE-së për tarifat e reja të energjisë nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Kjo, thotë PDK, është bërë falë ankesës që partia pati bërë.
Sipas Abelard Tahirit, PDK-ja është angazhuar shumë kundër këtij vendimi.
“Sot është një ditë e mirë për qytetarët. PDK përmes një ankese ka arritur ta pezullojë vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës. Kemi thënë dhe kemi punuar në vazhdimësi që ta kundërshtojmë këtë vendim të paligjshëm. Shtrenjtimi i energjisë duke qenë edhe diskriminues ka qenë i patejkalueshëm Dhe gjykata ka bërë jashtëzakonisht mirë që ka vendosur në mbrojtje të qytetarëve. I bëjmë thirrje ZRRE-së, të gjithë akterëve që kanë qenë të angazhuar në shtrenjtimin e rrymës, ZRRE-së, kryeministrit, presidentes, Vetëvendosjes ta respektojnë vendimin e gjykatës në pezullimin e vendimit”, ka thënë ai në një konferencë për media.
E, Ferat Shala i cili është edhe kryetar i Komisionit për Ekonomi, ka thënë se është hapi i parë ndaj vendimit të cilin ai e quajti “akt të paligjshëm”.
“Ne e kemi ngritur këtë shqetësim dhe po konfirmohet domosdoshmëria e një komisioni hetimor parlamentar të cilin mazhoranca po e zhagitë. Ne do të vazhdojmë me të gjitha mjetet demokratike ta ndërpresim këtë diskriminim”.