Albert Krasniqi nga KDI, monitorues i punës së Kuvendit të Kosovës, ka vlerësuar se kjo legjislaturë prej se është konstituuar, ka nisur me probleme.
Ka përmendur këtu ngërçin gjashtë mujor. Sipas tij ka pasur një fragmentim të Kuvendit, të subjekteve që ishin bashkë në fillim. Po ashtu, ka vlerësuar ai, edhe dy parterët e koalicionit nuk është se kanë një sinergji për të funksionuar dhe partneritet të sinqertë.
“Gjithë kjo atmosferë ka ndikuar në një mos funksionalitet të punës së Kuvendit dhe ka çuar Kuvendin te një paaftësi të marrjes së vendimeve”, ka thënë ai në televizionin publik të Kosovës.
Krasniqi ka thënë se në përgjithësi, duke i marrë për bazë edhe faktorë të tjerë, ka një trend të rënies së performancës së punës së Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë se nuk ka bashkëpunim të kënaqshëm ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
“Kuvendi nuk ka arritur që të mbikëqyrë punën e Qeverisë së Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas tij edhe opozita e ka pjesën e vet të përgjegjësisë për funksionimin e punës së Kuvendit të Kosovës. Krasniqi ka vlerësuar se bllokimi fizik i punës së Kuvendit nuk duhet të manifestohet në sjelljet e partive opozitare në Kosovë, mirëpo ato t’i shfrytëzojnë metodat e tjera demokratike, duke përfshirë edhe protestat jashtë Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se Kuvendi i Kosovës, i ka lejuar qasje në mbledhjet e tij.
“Kuvendi i Kosovës, qëndron shumë më mirë se institucionet e tjera, se qeveria, ministritë e caktuara, është më i hapur me transparent, na është lejuar qasjen në dokumentet që i kërkojmë”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se Kuvendi duhet të jetë promotor transparencës dhe hapjes me publikun.
