Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rastet aktive “në hava”, MSH-ja arsyeton zbutjen e masave me “situatën më të qetë epidemiologjike”

Edhe pse nga 6283 raste aktive me COVID-19 më 31 janar, kjo shifër është rritur në 7008 për 11 ditë, Qeveria në detyrë ka vendosur që të lehtësojë masat sipas propozimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, që e ka cilësuar më të qetë situatën epidemiologjike gjatë këtij muaji.

Në një sqarim për lehtësim të masave, pavarësisht kundërshtimeve të Bordit Këshilldhënës për luftën ndaj koronavirusit, MSH-ja ka thënë se bazuar në shifrat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, shkalla e sëmundshmërisë nga infeksioni është 120 në 100 mijë banorë, kurse shkalla e pozitivitetit të mostrave të testuara është 13.1 për qind.

“Kjo është arsyeja pse janë ndërmarra disa masa për t’i dhënë më shumë hapësirë veprimtarive të rëndësishme jetësore”, thuhet në sqarimin e MSH-së.

Në kuadër të masave të reja, kjo ministri ka thënë se parimisht janë në fuqi shumica e atyre që ishin më herët, pos heqjes së orës policore në komunat në “zonën e kuqe”.

“... E cila tashmë si masë nuk ka ndonjë ndikim pozitiv, duke qenë që së fundi në këtë zonë kanë qenë vetëm katër komuna, si dhe kthimi i mësimit me prani fizike në fakultete, duke respektuar Manualin për parandalimin e përhapjes dhe luftimin e COVID-19”, thuhet në njoftim.

Sa i përket masës së kërkimit të testeve PCR për ata që hyjnë në Kosovë, MSH-ja ka thënë se kjo masë ishte edhe më parë dhe s’është e re.

Edhe Dhjetëfish më shumë raste aktive me COVID-19 krahasuar me një vit më parë Arbëri Dhjetëfish më shumë raste aktive me COVID-19 krahasuar me një vit më parë

Për reagimin e Lul Rakës, që si kryetar i Bordit Këshilldhënës doli kundër lehtësimit të masave, MSH-ja ka thënë se “sa u përket institucioneve ekzekutive dhe atyre këshillëdhënëse, Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë t’i trajtojë rekomandimet dhe çështjet që ngriten prej tyre, duke përcjellë me kujdes situatën epidemiologjike”.

“Ndryshimi apo përkeqësimi eventual i situatës do të përcillet me masa adekuate, pa përjshtuar edhe kthimin e kufizimeve, ndërkohë që qytetarët rekomandohen që të veprojnë sipas udhëzimeve të IKSHPK-së për t’u mbrojtur nga infeksioni COVID-19”, përfundon sqarimi i kësaj ministrie.

Deri më 31 janar ishin të regjistruara 1498 raste të vdekjes si pasojë e koronavirusit. Sot, kjo shifër ka arritur në 1534.