Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pavarësisht rregullores, kryeprokurori Beka thotë se do të flasë me gazetarë

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka ka komentuar rregulloren e re të miratuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) e që e rregullon raportin media-Prokurori e Shtetit. Në Express intervistën në KTV, Beka ka deklaruar se pavarësisht rregullores ai do të mbajë raporte me media.

“Te rastet speciale është parë e arsyeshme të bëhet këshill koordinues të analizohet mirë se për çka mund të raportohet. Ishim vazhdimisht shumë të hapur dhe për çdo kërkesë të medieve jemi munduar t’i njoftojmë e të jemi sa më transparent. Nuk mendoj se do të ndryshojë diçka. Mendoj se kur ka nevojë komunikimi e kur nuk pengon hetimet çdo prokuror e kryeprokuror mund të flasë me mediat, pavarësisht rregullores”, ka thënë Beka.

“Koha Ditore” në disa shkrime ka raportuar se rregullorja e re kufizon komunikim media-Prokurori e Shtetit sepse kushtëzon kalimin e informacioneve përmes Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Asnjë zyrtarë i lartë i Prokurorisë së Shtetit nuk mund të flasë për media për “rastet e veçanta me interes publik”, pa e njoftuar Kryeprokurorin e Shtetit që aktualisht është Aleksandër Lumezi. Se çfarë paraqesin “rastet e veçanta” nuk është saktësuar fare në rregullore.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) nuk kanë bashkëpunuar për këtë rregullore me KPK-në e që e kanë arsyetuar për “shkaqe teknike” nuk e kanë parë emailin privat në të cilin kryetares së AGK-së, Gentiana Begollit i janë kërkuar komente.

E vetmja organizatë që ka dhënë komente për këtë rregullore është Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD). Sipas IKD-së një pjesë të madhe të komenteve të rëndësishme nuk ua kanë marrë parasysh KPK-ja.

““Fatkeqësisht, edhe pse disa prej rekomandimeve të IKD-së janë përfshirë në Rregullore, vlerësoj se disa prej shqetësimeve kryesore të cilat i kemi ngritur si IKD nuk janë adresuar fare nga KPK, duke lënë sërish barriera të shumta në informimin e saktë, të drejtë dhe të shpejtë të publikut në lidhje me zhvillimet në sistemin prokurorial”, pati deklaruar Betim Musliu hulumtues i lartë në IKD.