Mbi 100 thasë me mbeturina dhe 11 kamion me mbetje inerte u larguan sot nga një deponia ilegale në lagjen “028” në Fushë Kosovë, e cila është e populluar me shumicë rome, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Ky aksion u realizua në kuadër të projektit “Let’s Green It”, i cili është financuar nga zyra e BE-së në Kosovë, përkrahur nga BGF, INDEP dhe implementuar nga “Ta Pastrojmë Kosovën”. Pjesë e financimit të këtij projekti është edhe Qeveria e Republikës së Kosovës, në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”.
Aksionit të sotëm iu bashkuan dhjetëra vullnetarë nga komunitetet, të cilët pastruan bashkë me vullnetarët e “Ta Pastrojmë Kosovën”, transmeton Koha.net.
Drejtori ekzekutiv i “Ta Pastrojmë Kosovën”, Luan Hasanaj ka thënë se do të kërkojnë përgjegjësi nga institucionet për këtë situatë alarmante, në mënyrë që këto hapësira të kthehen në shërbim të komunitetit.
“Zakonisht institucionet janë të prira që ta drejtojnë gishtin nga njëra-tjetra dhe fatkeqësisht situata vazhdon të jetë e njëjtë, pa zgjidhje. Publikisht zotohem se organizata jonë do të kërkojë përgjegjësi prej secilit institucion, që është përgjegjës që hapësirat si kjo këtu të kthehen në shërbim të komunitetit. Po i premtoj edhe nënkryetarit se do flasim me institucionet përgjegjëse edhe me hekurudhën që këto zona të lejohen që të përdoren për të mirën e komunitetit sepse po shihet se janë të stërmbushura me mbeturina, dhe nuk e di çfarë arsyetimi kanë që nuk e kanë leju fushën, e i lejojnë mbeturinat. Nëse nuk e lejojnë fushën, le të kujdesen për këtë hapësirë këtu që të mos rrezikohet komuniteti që jeton këtu”, tha ai.
Hasanaj tutje ka thënë se gjelbërimi i këtyre zonave do të mundësojë që ato të bëhen të përdorshme për aktivitete rekreative për komunitetin që jeton aty.
Ndërsa, nënkryetari i Komunës për komunitete, Qerim Gara ka thënë se probleme të ngjashme me zonën që u pastrua sot, ka edhe në disa pika të tjera.
Edhe
Pastrohen mbeturinat në një lagje të komunitetit rom në Fushë Kosovë
“Në lidhje me këtë ne do të marrim edhe shumë sëmundje të tjera nëse nuk fillojmë të veprojmë, dhe ne si komunë do jemi pranë jush aq sa mundemi. Ne si komunë shumë herë i kemi pastruar këto zona, por me thënë të drejtën këtu është fukarallëk i madh ku të gjitha mbeturinat që bëhen, edhe prej Prishtinës, edhe kahmos, na vijnë nëpër lagje. Jo vetëm komuniteti, por të gjitha fshatrat e kanë gjet një vend ku vijnë i hedhin, dije pa dije, ne nuk mund t’i ruajmë të gjithë me policë, se sikur të mund t’i zëmë, ata do ta marrin dënimin e merituar, por nuk mund t’i zëmë, i qesin natën”, ka thënë ai.
“Ta Pastrojmë Kosovën” ju njofton se do të vazhdojë aksionet për largimin e deponive ilegale të mbeturinave dhe vetëdijesimin e qytetarëve për ruajtjen e mjedisit.
{gallery}