Arbëri

Pas zgjedhjeve, partive u mbeten 3 muaj kohë për zgjedhjen e presidentit

Tre muaj kohë kanë subjektet politike pas ditës së zgjedhjeve që të zgjedhin presidentin e vendit. Këtë post që nga 5 nëntori është duke e ushtruar kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Por, një gjë të tillë, sipas Kushtetutës, Osmani nuk mund ta bëjë më shumë se 6 muaj.

“Posti i ushtruesit të detyrës së presidentit të Republikës së Kosovës nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë (6) muaj”, thuhet në nenin 90, pika 3, fq.34 të Kushtetutës.

Madje, neni 86 i Kushtetutës përcakton se “zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”, e që i bie që kreu i shtetit duhet të zgjidhet para muajit maj.

Duke u bazuar në vonesat ndër vite për formimin e institucioneve, njohësit e punës së institucioneve thonë se konstituimi i tyre është urgjencë kësaj radhe.

“Konsideroj që kuvendi një ndër top-prioritete e tij në zgjedhjet e reja duhet ta ketë zgjedhjen e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit për shkak se është urgjencë dhe kërkesë kushtetuese që vendi të mos mbetet pa president ose posti të mbetet vakant ose me ushtrues detyre”, ka thënë Florent Spahija, hulumtues në KDI.
 

Më 2019 certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve është bërë pas më shumë se një muaji e gjysmë nga data e zgjedhjeve, më 27 nëntor. Derisa një muaj më vonë, më 26 dhjetor, është konstituuar Kuvendi.

Se një gjë e tillë nuk do të përsëritet janë të bindur nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas Fitore Pacollit nga kjo parti, këtë vit situata është ndryshe.

“Çfarë mund të sigurojmë tani është se procedurat për themelimin e Qeverisë do të jenë shumë më të shpejta dhe shumë më të lehta për shkak të rezultatit që presim të marrim nga votimi”, ka deklaruar Pacolli.

Por një garanci të tillë të mërkurën nuk e kanë dhënë nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Ne garojmë për ta udhëheq qeverinë, unë garoj për ta udhëheq qeverinë dhe asnjëherë nuk e kam marrë këtë postin e presidentit seriozisht, çdo herë kam qenë i interesuar të bëhem kryeministër dhe kësaj herë kërkoj mbështetje”, është shprehur Enver Hoxhaj, u.d. i kryetarit të PDK-së.

Mbrëmjen e së mërkurës u.d. së presidentes, Vjosa Osmani, shpalli zgjedhjet e parakohshme, e të cilat do të mbahen më 14 shkurt. Osmani detyrën e presidentes është duke e ushtruar pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga ky post, pasi Specialja konfirmoi aktakuzën kundër tij.