Familjes Jashari nga Lipjani i është rinovuar banesa nëpërmjet një projekti të efiçiencës. Por mbrëmjen e kaluar është detyruar ta braktisë shkaku i ujërave të shiut që i pikonin nga pjesa e epërme e pullazit.
“Ka pasur reshje të shiut edhe prej kulmit, ka pasur rrjedhje nga plafoni në banesë komplet, ku ka dëmtuar pjesë të ndryshme të murit, tavanit, pjesën e dyshemesë e të gjitha”, tha Daut Jashari, pronar i banesës.
Problem të ngjashëm kanë pasur edhe familje të tjera që banojnë në banesa kolektive, e të cilat janë rinovuar së fundmi në kuadër të një projekti të efiçiencës së energjisë.
Në këtë projekt janë investuar rreth 700 mijë euro nga Shtetet e Bashkuara, disa organizata dhe nga Komuna e Lipjanit.
“Realisht qe 13 vjet që e posedojmë këtë banesë në pronësi nuk kemi pasur telashe të tilla. Është hera e parë që kjo po ndodh shkaku i renovimit të fundit që ka ndodhur ky telash dhe tash jemi duke pritur”, tha Jashari.
Banorët ankohen për cilësi të dobët të punimeve nga punëkryerësi dhe e kanë adresuar problemin tek Inspektorati Komunal tek përgjegjësi për mbikëqyrjen e punimeve, e edhe tek kompania, por thonë të mos kenë marrë përgjigje nga ndokush.
“Pas përfundimit të punimeve nga firmat nënkontraktuese për izolime, fasada, kulmeve e të tjera, me qëllim që jeta e qytetarëve të bëhet sa më e lehtë, këtu vetëm se është rënduar. Nga mospërgjegjësia e firmave ka filluar të rrjedhë uji brenda banesave”, thotë Fatgëzim Azemi, banor tjetër.
KOHA ka provuar të marrë edhe një përgjigje nga kompania që i ka realizuar punimet, por pronarët e saj nuk janë përgjigjur në telefon.
Ndërkaq Valzim Mëziu, zyrtar komunal në Lipjan dhe mbikëqyrës i këtyre punimeve, tha se i ka pranuar ankesat e banorëve dhe se ato ia ka përcjellë kompanisë, me qëllimin për t’i riparuar dëmet.
“Banorët më kanë kontaktuar për këtë çështje dhe i kam sugjeruar të adresojnë një ankesë zyrtare të bashkangjitur me fotografi. Për këto ankesa e kam njoftuar kompaninë dhe po presim që gjatë ditës së nesërme të dalin për ta parë gjendjen. Nëse dëmet janë shkaktuar nga punëkryerësi, atëherë ata do ta rregullojnë”, tha Mëziu.
Banorët kanë insistuar që sa më shpejt të rregullohen defektet, pasi thanë se banesat ku ndodhen prej dekadash tani janë kthyer në të pajetueshme.