Arbëri

Pas dy vjetësh e gjysmë, finalizohet ujdia e financimit të tunelit Prizren-Tetovë

Financimi i projektit që përfshin ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren, do të bëhet në përputhje me gjatësinë e secilës anë. Në bazë të përllogaritjeve nga studimi i fizibilitetit, kostoja e këtij projekti infrastrukturor do të jetë rreth 200 milionë euro. Projekti do të shkurtojë kohën e udhëtimit në më pak se një orë

Pas afro dy vjetësh e gjysmë që nga nënshkrimi i marrëveshjes fillestare, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut kanë finalizuar ujdinë për bashkëfinancim të tunelit për rrugën Prizren-Tetovë, e cila u hap rrugë procedurave për zgjedhjen e projektuesit.

Të dyja shtetet e kanë konsideruar atë si një projekt madhor që i tejkalon kufijtë e lokales, duke ndihmuar në zhvillimin e turizmit malor në të dyja anët.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka folur mbi rëndësinë e projektit.

“Është një rrugë jashtëzakonisht e rëndësishme që s’e lidh vetëm Prizrenin me Tetovë, por edhe me autostradën ‘Ibrahim Rugova’ që e lidh Prishtinën me Durrësin e Tiranën, rrjedhimisht krijon mundësi të kyçjeve nëpër korridore dhe më gjerë në nivel të rajonit”, ka thënë Aliu.

Ai ka përmendur edhe punën që është bërë nga ekipi punues për këtë projekt.

E zëvendësministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Bekim Rexhepi, ka thënë se është zgjedhur një opsion optimal për projektin e ndërtimit të tunelit.

“Në bazë të studimit të fizibilitetit nga ana jonë janë ofruar opsione të ndryshme për zgjedhjen e trasesë së rrugës Tetovë-Prizren dhe e pranueshme për të dyja vendet ishte traseja në ndërtimin e tunelit 6.4 km të gjatë. Traseja e rrugës së re fillon në Tetovë përmes Kodrës së Diellit, Brodecit dhe përfundon në vendbanimin Veshallë nga pjesa e Maqedonisë së Veriut”, ka thënë ai.

Marrëveshja mes dy qeverive për këtë rrugë ishte nënshkruar në shtator të 2021-s, por që, përveç një studimi fizibiliteti, nuk është hartuar ende projekti, e aq më pak fillimi i punimeve në të.

Çështja e rrugës ishte riaktualizua pas vizitës së kryeministrit Albin Kurti në Tetovë, e realizuar në gusht të vitit të kaluar.

Financimi i projektit që përfshin ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren, do të bëhet në përputhje me gjatësinë e secilës anë. Në bazë të përllogaritjeve nga studimi i fizibilitetit, kostoja e këtij projekti infrastrukturor do të jetë rreth 200 milionë euro.

Projekti do të shkurtojë kohën e udhëtimit në më pak se një orë.

Rruga aktuale Prizren-Tetovë, e cila kalon nëpër Prevallë dhe Glloboçicë, është e gjatë 113 kilometra dhe merr mbi dy orë e gjysmë udhëtim.

KOHA ka raportuar për vonesat që ishin bërë në nënshkrimin e marrëveshjes financiare për këtë projekt.

E në Kosovë ky projekt kishte nxitur reagime në publik, duke u parë si konkurrent i rrugës Prishtinë-Pejë.

Por, ministri Aliu pati thënë se rruga për Pejë nuk ndalet.

“Na duhen të dyja dhe do të bëhen të dyja, por pa vjedhje dhe keqpërdorime fondesh. Në emër të asfaltit nuk do të vjedhë më askush, dhe çdo vjedhje që evidentojmë edhe nga projektet e kaluara, do ta ndjekim me seriozitetin maksimal duke e dërguar çështjen në prokurori”, pati thënë Aliu.

Në mars të 2023-s, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka deklaruar se rruga Tetovë-Prizren nuk ka mundësi të realizohet shpejt, gjegjësisht në tre vjetët e ardhshëm.

Deklarata e Grubit e hedh poshtë premtimin e kryeministrit Kurti, i cili bashkë me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, më 13 nëntor të 2021-s, gjatë fushatës parazgjedhore, e ka publikuar një video të prezantimit të projektit të rrugës Prizren–Tetovë, me ç’rast ka premtuar që traseja të finalizohet në tërësi brenda 2-3 vjetësh.

Lidhur me projektuesin, Grubi ka thënë se Maqedonia e Veriut ka marrë përsipër që ta bëjë projektimin dhe është çështje javësh se kur do të shpallet tenderi për zgjedhjen e tij. Ai ka bërë të ditur se më pas duhet të gjenden mjete për realizimin e saj.